Krasniqi: Fajin për monopolin e homologimit e kemi të gjithë bashkë

Kuvendi i Kosovës ka filluar seancën e jashtëzakonshme për ndërprerje të monopolit të homologimit.

Në emër të grupit parlamentar të PDK-së, foli shefi i grupit parlamentar, Memli Krasniqi i cili shprehi  keqardhje për mosardhjen e  ndonjë përfaqësuesit të qeverisë në këtë seancë.

“Më vjen keq që s’kemi përfaqësues të Qeverisë në këtë seancë, sepse ky Udhëzim Administrativ  është i qeverisë. Ne si PDK jemi në favor të konkurrencës dhe kundër monopolove, kjo është edhe për shkak të ideologjisë sonë, si parti e qendrës së djathtë”, tha Krasniqi.

Tutje Krasniqi tha që asnjëherë nuk është marrë ndonjë veprim në këtë drejtim.

“Asnjëherë askush s’ka marrë asnjë vendim për këtë çështje, deri tash kur e kemi një insistim nga ndërkombëtarët.  Ligjin për automjete nuk e kemi në fuqi me direktivat europiane. Na e kemi raportin e TAEX-it që thotë se ky ligj nuk është përputhje me direktivat e BE-së. Ata kanë kërkuar që me i bë disa ndryshime në ligj’, tha ai.

Krasniqi shtoi se Ligji nuk është i mirë, ka shumë probleme.

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, theksoi që Udhëzimi Administrativ e vështirëson tregun në këtë fushë.

“UA i ri nuk e pengon liberalizim e tregut, por veç e vështirëson, unë kam kërkuar nga ministri Lekaj që të krijohet hapësira për një konkurrencë pas 10 vitesh. Vendimi i qeverisë kundër  monopoleve, në gusht të 2015. Unë e kam votu bashkë me juve atë vendim. Asnjë masë se kemi ndërmarrë për 2 vjet tjera që kemi qenë në pushtet”, tha ai.

Krasniqi tha që për këtë gjendje fajin e ka qeveria Mustafra së bashku më PDK-në me të cilën kanë qenë në koalicion.

“S’mundemi me thanë, “Jo, na kanë thanë juristat që s’bon”. Unë ju garantoj që është në Ministri të Infrastrukturës thonë që nuk bën. Fajin e kemi bo bashkë, nëse ka këtu faj, nuk është për me relativizu por qeverinë e keni udhëheqë ju bashkë me PDK-në askush nuk ju ka pengu”, shtoi ai.

Diskutimi për çështjen e monopolit në homologim po vjen rreth një vit pasi Emisioni ‘Drejtësia në Kosovë’, kishte realizuar hulumtim për këtë temë.

Ministria e Infrastrukturës është kujdesur që të trashë edhe më shumë monopolin e homologimit. Për 10 vjet, e njëjta ministria ia kishte garantuar monopolin në homologim të veturave kompanisë EuroLab, duke ia caktuar edhe shumë që qytetarët do të obligohen që ta paguajnë për homologim.

Emisioni “Drejtësia në Kosovë” ka gjetur se kjo praktik mund të vazhdojë edhe në të ardhmen, pasi Ministria e Infrastrukturës e ka hartuar një Udhëzim Administrativ përmes të cilit e vështirëson hapjen e tregut për këtë Homologim. Përveç kësaj, Ministria e Infrastrukturës e ka autorizuar pa procedurat konkurruese të njëjtën kompani, EuroLab për të kryer edhe “A-testimin” e veturave, që tash do të quhet homologim individual. Deri më tani “A-testimi” është bërë nga Fakulteti Teknik i Universitetit të Prishtinës.