Tortura dhe ngujim për dy vjet, shqiptari në Greqi dyshohet se rrahu gruan pse lindi vajzë
Një rast tronditës i dhunë në familje është bërë publike në mediat greke, ku protagonistë janë dy të rinj shqiptarë.
28-vjeçari, Aurel Kurti, ka mbajtur të mbyllur dhe ka dhunuar barbarisht bashkëshorten e tij 22-vjeçare për një periudhë 2-vjeçare.
22-vjeçarja u zhvendos nga Shqipëria në Volos të Greqisë në vitin 2021, pas martesës me bashkatdhetarin e saj 28-vjeçar.
Aurel Kurti përshkruhet si një bashkëshort mizor që nuk e la kurrë të mësonte greqisht gruan dhe të kishte kontakte me njerëz të tjerë.
Sipas mediave greke, dhuna ishte shtuar në momentin që u bë e ditur gjinia e fëmijës së tyre pasi 28-vjeçari nuk donte vajzë.
“Kur lindi fëmija, nëna dhe foshnja jetuan për pesë muaj me grila të mbyllura dhe pa marrë rrezet e diellit. Rrahjet ishin të përditshme dhe 28-vjeçari nuk e lejonte nënën të shkonte te mjeku për vaksinimin e fëmijës dhe as të thërriste mjekun në shtëpi” – shkruan media greke, Protothema.
Rasti i rëndë i dhunës dhe ngujimit të gruas së bashku me fëmijën u zbuluan mbrëmjen e 21 shtatorit.
Ishin fqinjët e çiftit shqiptar ata që u mobilizuan pasi dëgjuan britmat e 22-vjeçares nga brenda shtëpisë.
Kur kanë trokitur me këmbëngulje në derë, 28-vjeçari e ka hapur atë dhe ka tentuar të arratiset, ndërsa banorët e kanë ndaluar dhe kanë lajmëruar policinë e cila e arrestoi dhe zbardhi ngjarjen./ Euronews.al