Foto: Policia e Shtetit

Tiranë, vihet në pranga edhe një i kërkuar në kuadër të megaoperacionit policor "Tempulli 2"

Forcat e Policisë shqiptare bazuar në informacionet e siguruara mbi vendndodhjen e një shtetasi të shpallur në kërkim në kuadër të megaoperacionit “Tempulli 2”, menjëherë kanë vijuar kontrollet intensive për kapjen dhe vënien e tij përpara përgjegjësisë ligjore.

Si rezultat i kontrolleve është kapur dhe ndaluar shtetasi F.M., 36-vjeç, banues në Tiranë.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë i ka caktuar masën e sigurisë – arrest në burg, për veprën penale – prodhimi dhe shitja e narkotikëve.

Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Me kapjen e 36-vjeçarit numri i të ndaluarve në kuadër të megaoperacionit policor “Tempulli 2” shkon në 75.

Më parë, gjatë zhvillimit të këtij operacioni, janë sekuestruar 14 kg kanabis, 5.3 kg kokainë, 170 gramë heroinë dhe 11 peshore elektronike, 4 armë zjarri – pistoleta dhe 1 armë zjarri – automatik, 70 celularë, 11 automjete, 2,186,000 lekë, 11,610 euro, 630 paund.