Tiranë, tre të arrestuar nën dyshimin se e përshtatën qendrën e masazhit për prostitucion

Një burrë, pronar i një qendre masazhi dhe dy gra, të punësuara aty, janë arrestuar në Shqipëri nën dyshimin se në këtë qendër kanë kryer veprimtarinë e prostitucionit.

Policia e Shqipërisë ka njoftuar se pas një punë hetimore disamujore ka përfunduar me sukses operacioni i koduar “Kamuflimi” në Tiranë.

Në kuadër te tij, janë sekuestruar edhe para që dyshohet se janë përfituar nga kjo veprimtare e paligjshme, aparate celulare dhe një automjet.

“Si rezultat i tij u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve: E. S., 39 vjeç, dhe H. M., 39 vjeçe, të dy banues në Tiranë. Gjithashtu u procedua penalisht shtetasja V. V., 39 vjeçe, banuese Tiranë. Shtetasi E. S., administronte një qendër masazhesh, në “Tish Daija”, në të cilën ishin të punësuara shtetasja H. M., dhe V. V. Përveç aktivitetit të regjistruar ligjërisht si qendër masazhesh, në këtë subjekt ushtrohej edhe aktiviteti i kundërligjshëm i prostitucionit” – thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.

Këto materiale i kanë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë për veprime të mëtejshme procedurale.