Tiranë, mbyllet hetimi për Sekretaren e Përgjithshme të Shëndetësisë

Në Shqipëri, Prokuroria e posaçme kundër Krimit të organizuar dhe Korrupsionit, njoftoi sot se ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar për gjykim rastin e sekretares së përgjithshme të ministrisë së Shëndetësisë Joana Duro e cila u arrestua së bashku me një tjetër zyrtare dhe përfaqësuesit e një kompanie private nën akuzën auzën e korrupsionit. Duro rezulton të ketë marrë ryshfet nga kompania e cila kishte fituar një tender nga Ministria e Shëndetësisë.

Në 2 qershor, një ditë pasi ministria e Shëndetësisë shpalli fitues të tenderit për supervizimin e rikostruksionit të disa qendrave shëndetësore në Tiranë dhe Durrës, Sekretarja e përgjithshme Joana Duro u arrestua në flagrancë. Sipas prokurorisë së Posaçme e cila ka mbyllur tanimë hetimet dhe sot njoftoi dërgimin e çështjes për gjykim, zonja Duro u kap në zyrën e saj, ku gjendeshin dhe 330 mijë lekë, pak më shumë se 3 mijë euro, baras me gjysmën e vlerës së tenderit. Paratë, mendohet se i ishin dhënë asaj në formën e ryshfetit. Vladimir Topi, pronari i kompanisë Dricons, fituese e tenderit, ja kishte dhënë ato inxhinjerit të firmës së tij, Silvi Shehu. Ky i fundit kishte marrë kontakt me një zyrtare të ministries, Laura Sheto, e cila më pas ja kishte dorëzuar Duros.

Prokuroria e Posaçme bëri të ditur se Sekretarja e Përgjithshme e ministrisë akuzohet për korrupsion pasiv, ndërkohë që për zyrtaren tjetër dhe dy përfaqësuesit e kompanisë private, rëndon akuza e korripsionit aktiv. Në njoftimin e saj, Prokuroria saktëson se ka rregjistruar veçmas një tjetër procedim për fakte të tjera penale, për të cilat hetimi është në vijim.

Sekretari i Përgjithshëm është figura më e lartë e administrates publike në Shqipëri. Përveç zonjës Duro, në janar të këtij viti u arrestua dhe kolegu i saj në ministrinë e Financave Arli nd Gjokutaj, nën dyshimet për shpërdorim detyre dhe ryshfet.

Në duart e drejtësisë në 6 muajt e parë të këtij viti kanë rënë dhe 4 bashkiakë në detyrë apo ish kryebashkiakë socialistë, nga ai i Bulqizës, Lefter Alla, te ish kryetari I bashkisë së Durrës Vangjush Dako e së fundi i sapo rizgjedhur në Kukës, Safet Gjici. Ndërsa javën e shkuar u arrestua ish kryebashkiaku i Fushë Arrëzit, Fran Tuci.

Por rastet më me emër janë ato të drejtuesve të lartë shtetërorë, duke nisur nga ish zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj, për të cilin javën e shkuar Parlamenti miratoi kërkesën e Prokurorisë për arrestimin e tij. Në fazë gjykimi është ish ministri Mjedisit Lefter Koka dhe ish deputeti Alqi Bllako. I vetmi ndaj të cilit ka deri tani një dnim të formës së prerë, është ish ministri i Brendshëm Saimir Tahiri. Muajin e shkuar ai la qelinë, për t’i kaluar në banesë, 19 muajt e mbetur të dënimit./VOA