Tiranë, i dyshuari fshehi kanabisin në matësin e ujit të një ndërtese - VIDEO

Një 27-vjeçar është arrestuar nga Policia e Shtetit në Shqipëri nën dyshimet për shitje të narkotikëve.

Sipas njoftimit, në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 63 doza me kanabis, të cilat i dyshuari i kishte fshehur në matësin e ujit, në një pallat afër fushës së Laprakës.

Sipas Policisë ai dyshohet se e shiste lëndën narkotike në një zonë që frekuentohet nga nxënës.

“Në rrugën “Mati Logoreci”, u kap dhe arrestua në flagrancë shtetasi R. H., 27 vjeç, banues në Tiranë. Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se ky shtetas e siguronte lëndën narkotike në sasi dhe më pas e ndante në doza, të cilat i shiste në afërsi të fushës sportive, në Laprakë, e cila frekuentohet nga nxënës shkolle”- ka njoftuar Policia.

Ndërsa, në njoftim thuhet se po punohet për identifikimin e personave të tjerë, të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

“Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme”- thuhet në njoftim.