Thirrje për Aplikime: Programi i Bursës për Shkrimin e Storieve bazuar në të Dhënat Gjyqësore

BIRN Kosova ka hapur konkursin për aplikime për storie analitike gazetareske si pjesë e projektit “Të dhëna për luftimin e narrativave të dëmshme mbi gjyqësorin” financuar nga Fondacioni i Mijëvjeçarit në Kosovë (MFK) dhe Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) si pjesë e projektit ‘#DigDataKosovo, Sfida për të dhëna të hapura’.

BIRN në partneritet me Internews Kosova, FindBug dhe D4D po zhvillon një zgjidhje inteligjente që do t’u ndihmojë palëve të interesuara dhe publikut të përgjithshëm me çështjet gjyqësore, procedurat dhe rregulloret, me një qasje të lehtë në rastet në të ardhmen, në seanca dëgjimore dhe kohën e nevojshme për zgjidhjen e një rasti bazuar në kërkimet/hulumtimet në internet dhe në mediat sociale.

Përfshirja e BIRN përmes Judicial Dig Data Challenge konsiston në sintetizimin e të dhënave të disponueshme gjyqësore lidhur me dhunën me bazë gjinore, sulmet ndaj gazetarëve dhe personave të komunitetit LGBTQI+, korrupsionin, zgjidhjen e çështjeve civile, menaxhimin e burimeve njerëzore në institucionet e drejtësisë, efektivitetin e Agjencisë për Ndihmë Juridike, Gjykatës Supreme dhe Prokurorisë Speciale, ndër të tjera, duke ndërlidhur të dhëna të shumta nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) dhe Agjencia për Ndihmë Juridike (ANJ).

Përfshirja jonë synon gjithashtu ta zgjerojë kategorinë e personave të cilët i përdorin të dhënat e disponueshme gjyqësore. Kjo do të arrihet duke angazhuar akterë të tjerë, si gazetarët, në procesin e analizës së të dhënave dhe në propozimin e mjeteve për adresimin e nevojave të orientuara nga të dhënat.

Si rrjedhojë, BIRN fton të gjithë gazetarët e rinj, aspirantë dhe të interesuar me karrierë të mesme profesionale që të aplikojnë për bursën tre mujore të ofruar nga MFK.

5 gazetarë ambiciozë dhe të guximshëm do të zgjidhen nga një ekip redaktorësh profesionalë për t’u bërë pjesë e këtij programi. Secili anëtar do të përfitojë bursë prej 400.00 Euro për një storie analitike bazuar në të dhëna gjyqësore. Shkrimet analitike duhet të rrjedhin nga grupet e të dhënave të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) dhe Agjencisë për Ndihmë Juridike (ANJ), ashtu siç u tha më lart, megjithatë, gazetarët mund të përdorin edhe burime tjera të besueshme për shkrimet e tyre.

Përveç kësaj, gazetarët e përzgjedhur do të përfitojnë mentorim nga një ekip redaktorësh dhe zyrtarësh ligjorë të kualifikuar të BIRN Kosova, të cilët kanë përvojë të gjerë në monitorim të gjykatave, të dhëna gjyqësore, dhe në prodhimin dhe redaktimin e raportimit të cilësisë së lartë në Kosovë dhe në rajon.

Në fund të programit, bursistët pritet të kenë prodhuar një storie origjinale hulumtuese/kërkimore prej 800 – 1,000 fjalësh.

Si të aplikoni?

Të interesuarit duhet t’i paraqesin propozimet me temat për të cilat duan të shkruajnë, të cilat duhet të përmblidhen në maksimum 300 fjalë. Idetë duhet të jenë të qarta dhe të përmbajnë detaje mbi temën që do të trajtohet, si do të trajtohet, burimet që do të kontaktohen, etj.

Propozimi i stories duhet të zhvillohet bazuar në kriteret e poshtëshënuara:

– Përdorimi i grupeve të të dhënave të KGJK-së, KPK-së dhe ANJ-së;

– Ndikimi i stories në opinionin publik;

– Trajtim i veçantë i stories në fjalë; dhe

– Gjithëpërfshirje.

Ju lutemi dorëzojeni propozimin tuaj në një dokument PDF duke përfshirë vegzat e punës së mëparshme dhe CV-në tuaj deri në mesnatën e datës 30 Prill 2022, në adresën [email protected], me temë: Aplikimi për Bursën Judicial Dig Data Challenge.

Çdo pyetje në lidhje me këtë program ose aplikacion mund të drejtohet tek [email protected], jo më vonë se deri më 25 prill 2022.

Gratë dhe pjesëtarët e komuniteteve pakicë inkurajohen fuqishëm që të aplikojnë.