Foto: Denis Sllovinja/KALLXO.com

Qeveria subvencionon me 92 mijë euro Samitin e Ballkanit Perëndimor

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për ndarjen e 92 mijë eurove për subvencionimin e Samitit të Ballkanit Perëndimor të organizuar nga “The Economist”.

Kryeministri, Albin Kurti ka thënë se me samitin e organizuar nga “The Economist”, Kosova u bë pjesë e hartës së konferencave ndërkombëtare të revistës prestigjioze.

Ndërsa, ministri i Financave, Hekuran Murati ka thënë se gjatë ditës së martë Prishtina ka qenë nikoqir i një prej konferencave më të rëndësishme rajonale.

Ai tha se kjo konferencë ka shërbyer si platformë për promovimin e Kosovës dhe ndarjen e ideve dhe qëndrimeve më të mira.

“Konferenca e Samitit të Ballkanit Perëndimor ka mbledhur politikanë, përfaqësues të institucioneve financiare ndërkombëtare dhe akademikë. Me qëllim të promovimit, bizneset kosovare kanë dhënë kontribut për të mbështetur këtë konferencë. Por për mjetet shtesë, Qeveria do ta mbështesë me 92 mijë euro që do të merren nga shpenzimet e paparashikuara” – ka thënë ministri Murati.