Tetë persona të vrarë nga sulmet ruse në qytetin ukrainas Krivi Rih

Një sulm me raketa balistike ruse në qytetin ukrainas, Krivi Rih, vrau të paktën tetë persona dhe plagosi të paktën 21 të tjerë, përfshirë fëmijë, tha ministri i Brendshëm, Ihor Klymenko.

Ai njoftoi në Telegram, më 12 qershor, numrin e përditësuar të viktimave, pasi fillimisht tha se ishin vrarë gjashtë persona.

Ai shtoi se katër persona të tjerë rezultojnë të zhdukur.

Sulmi dëmtoi një ndërtesë administrative dhe një bllok apartamentesh, sipas autoriteteve ukrainase.

Krivi Rih, një qytet i madh në rajonin e Dnjipropetrovsk, që është vendlindja e presidentit Volodymyr Zelensky, ka qenë objektiv i sulmeve ajrore disa herë gjatë pushtimit rus të Ukrainës i cili ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022.

Zelensky u përgjigj duke u bërë thirrje aleatëve të Ukrainës që të rrisin dërgesat e baterive të sofistikuara të mbrojtjes ajrore për të shmangur sulmet ruse.

“Çdo ditë dhe çdo orë, terrori rus dëshmon se Ukraina, së bashku me partnerët e saj, duhet të forcojnë mbrojtjen ajrore”, tha Zelenskiy.

Ai shprehu ngushëllime për familjet dhe miqtë e viktimave dhe tha se shërbimet e urgjencës po punonin në vendngjarje, derisa publikoi një video që tregonte një burrë duke u nxjerrë nga rrënojat.

Në një deklaratë të mëparshme në Telegram, Zelensky tha se Rusia u përpoq të fillonte një sulm të kombinuar ndaj Ukrainës duke përdorur raketa dhe dronë.

Ai tha se pesë raketa dhe më shumë se 20 dronë u rrëzuan.

Më herët më 12 qershor, Associated Press raportoi se Shtetet e Bashkuara do të ofrojnë një sistem tjetër raketor Patriot, në përgjigje të lutjeve të Ukrainës për më shumë mbrojtje ajrore.

Ky do të jetë kundërajrori i dytë Patriot që Shtetet e Bashkuara ia dhurojnë Ukrainës, edhe pse Pentagoni i ka dhënë kohë pas kohe Kievit një numër të pazbuluar raketash për këtë sistem kundërajror./REL.