Foto: Kallxo.com

Ternava: Vendimmarrësit e energjisë në Kosovë ende nuk besojnë në energjinë e gjelbër

Trim Ternava, përfaqësues i “Jaha Solar”, ka thënë se ka hezitim nga politikbërësit në Kosovë sa u përket burimeve të ripërtërishme.

Ternava ka folur për burimet e ripërtërishme në emisionin “Kallxo Përnime”, ku po debatohet për pengesat për energjinë solare.

Ai ka thënë se vendimmarrësit e energjisë në Kosovë ende nuk besojnë në energjinë e gjelbër.

“Është një hezitim i krejt sektorit për burimet e ripërtërishme. Ne mund të themi se ka frymë në media pro energjisë së gjelbër por vendimmarrësit e energjisë në Kosovë nuk është ende që besojnë shumë sepse shumica prej tyre vijnë prej kohës së qymyrit sepse janë mësuar më pa thëngjillin si alternativë kryesore”, ka thënë ai.

Ternava tutje ka folur edhe për caktimin e caqeve për instalimin e paneleve solare në Projektligjin e ri për burime të ripërtërishme.

Ai ka thënë se caku për instalimin e këtyre paneleve për 10 vitet e ardhshme mund të jetë rreth 300-400 megavatë.

“Një cak realisitik për 10 vitet e ardhshme mund të jetë rreth 300-400 megavatë, që është garant shumë më i lartë sesa ajo që ka paraparë Qeveria. Caku është i mirë sepse bazuar në të bëhen politika të zbatueshme po nëse themi që kemi 100 megavatë dhe nuk do të lejohet më shumë se aq për 10 vite kjo mund të jetë pengesë”, ka thënë Ternava.