Foto: Denis Sllovinja / Termocentral , Obiliq , Kek

Kritikë ndaj draftit të Strategjisë së Energjisë 2023-2031

Pjesëtarë të shoqërisë civile javën e kaluar ishin të ftuar nga Ministria e Ekonomisë për diskutimin e draftit të parë të Strategjisë së Energjisë 2023-2031. Kjo strategji pritet të publikohet këtë javë. Ministrja Artane Rizvanolli u tregu e hapur me gatishmërinë e sajë për t`i diskutuar elementet thelbësore të kësaj strategjie me një kritikë dhe debat konstruktiv. Debati i hapur dhe kritika konstruktive nga njerëzit me ekspertizë në fushën e energjisë janë elemente thelbësore për sigurinë e cilësisë së kësaj strategjie. Kjo qasje duhet përshëndetur dhe përkrahur!

Republika e Kosovës përballet që nga paslufta me tri probleme të mëdha, mungesë të furnizimit stabil me energji elektrike, nivel të lartë i ndotjes së ambientit nga termocentralet vjetruara të thëngjillit, si dhe mungesa e gatishmërisë qytetare për fatura më të larta të energjisë. Kriza aktuale energjetike, pandemia, dhe lufta në Ukrainë bëjnë një momentum të artë për një kthesë të madhe që nëpërmjet integrimit të qytetarëve t`i zëvendësoj termocentralet e thëngjillit me ato të burimeve të ripërtëritshme. Kjo do të siguronte furnizim stabil me energji elektrike pa efekte anësore ambientale, dhe në të njëjtën kohë fatura të energjisë të pranuara nga qytetarët.

Sa për të rikujtuar, energjia elektrike është një produkt final vetëm për KEK-un, KOSTT-in, KEDS-in, dhe KESCO-n, ndërsa për pjesën më të madhe të ekonomisë, ajo është vetëm një input. Për shembull, shumica e pajisjeve tona shtëpiake dhe makinerive industriale janë të pashfrytëzueshme pa energji elektrike. Kjo nënkupton se furnizimi i qëndrueshëm dhe pandërprerë me energji elektrike duhet të jetë i padiskutueshëm.

Me qëllim të adresimit të problemeve të shumta energjetike dhe ambientale, strategjia e prezantuar nga Qeveria ka pesë objektiva strategjike: (1) përmirësimi i qëndrueshmërisë dhe sigurisë së furnizimit, (2) dekarbonizimi edhe promovimi i energjisë së ripërtëritshme, (3) rritja e efiçiencës së energjisë, (4) forcimi i bashkëpunimit rajonal dhe funksionimi i tregut, dhe (5) mbrojtja dhe fuqizimi i konsumatorëve.

Më poshtë janë përmbledhur disa shqetësime që lindin nga drafti i parë i kësaj strategjie që u prezantua javën e kaluar.

Mungesa e harmonizimit të tri shtyllave kryesore për funksionim të mirëfilltë të sektorit energjetik

Qysh në fjalët e para, ministrja Rizvanolli përmendi se për herë të parë institucionet e Republikës së Kosovës po e hartojnë një strategji të energjisë me një qasje gjithëpërfshirëse. Vërtetë procesi i furnizimit të qëndrueshëm me energji elektrike kërkon një qasje gjithëpërfshirëse, sepse ai kërkon harmonizimin midis tri shtyllave kryesore të tij:

  • kapacitete gjeneruese me gjenerim të mjaftueshëm në kohën e duhur, si dhe kapacitete transmetuese dhe të shpërndarjes të domosdoshme për transmetimin dhe shpërndarjen e energjisë së gjeneruar dhe kërkuar,
  • stabilitetin financiarë të operatorëve gjenerues, të transmisionit, si dhe të distribucionit,
  • çmime të përballueshme dhe konkurruese për konsumatorët shtëpiakë dhe industrialë.

Mirëpo ky harmonizim mungon plotësisht në këtë draft. U shpalosen caqet e reja për kapacitete gjeneruese në teknologji të caktuara, mirëpo asnjë element i rrjetës nuk u prek, qoftë të transmisionit apo shpërndarjes. I gjithë debati u orientua në kapacitete gjeneruese thuajse Kosova ka rrjet aq modern sa që ne mund të supozojmë se aty nuk ka mbet asgjë për tu bërë. E me këtë patjetër se mungoi edhe adresimi i çështjes së çmimeve të energjisë elektrike. Duke qenë të vetëdijshëm se shoqëria kosovare ka shfaqë simptoma të larta të një alergjie agresive kur flitet për ngritje të çmimit të energjisë elektrike, kjo çështje kërkon të merret më me seriozitet.

Në momentin që këto çështje cekeshin tërthorazi, argumenti i zakonshëm ishte se mungojnë të dhëna të detajuara për një trajtim të tillë. Dhe me këtë tentohej të përfundojë debati. Ky ishte një emërues i përbashkët i një pjese të madhe të pyetjeve.

Paradoksi me taksën e karbonit, subvencionimin e plotë të thëngjillit, dhe jetëgjatësia e termocentraleve të thëngjillit

U vërejt edhe një paradoks. Parashihet futja e një takse të karbonit e cila kryesisht i ngarkon termocentralet e thëngjillit, ndërsa në të njëjtën kohë planifikohen investime për rivitalizimin e termocentraleve të thëngjillit të Kosovës A dhe B me një shumë prej 120-300 milionë euro. Mirëpo, të njëjtat do të përdoren në mënyrë aktive për gjenerim të energjisë elektrike deri në vitin 2028, ku më pastaj do të zhvendosen si kapacitete rezervë. Ekonomistët në këto raste bëjnë një pyetje të thjeshtë, cilat janë alternativat e tjera të alokimit të shumës prej 120-300 milionë euro?

Tendenca për diskutimin e kësaj temë ishte të zhvendosej në një tabu, pra që s’ka çka diskutohet kjo temë më tutje por vetëm të mirret si e qenë sepse argumentimi që u zhvillua në atë drejtim ishte se Kosova nuk ka mundësi të tjera. Me këtë argumentim nuk u bindën as pjesëmarrësit në këtë debat publik por nuk besoj se as qytetarët e Republikës së Kosovës binden aq lehtë, përderisa nuk janë shoshitë dhe bërë publike të gjitha mundësitë që hartuesit dhe ekspertët e kësaj strategjie i kanë analizuar. Kjo sepse nuk u treguan numrat se si ka arrit Qeveria e Kosovës në përfundim se milionat e investimit në thëngjill janë kthimi financiarisht më i qëndrueshëm për konsumatorin kosovar.

Më duhet të ceki disa argumente shkencore dhe financiare: për momentin termocentralet e thëngjillit nuk mund të jenë konkurruese me burimet të ndryshme të ripërtëritshme të energjisë nëse vendoset një taksë e karbonit prej rreth 30 euro për një ton, e Kosova s’do të ketë zgjidhje tjetër pos ta vendos këtë taksë për shkak se është nënshkruese e traktateve ndërkombëtarë. Kur këtu ia shtojmë edhe cilësinë e ulët të thëngjillit në Kosovë dhe termocentralet e stërvjetruara, atëherë edhe me një taksë më të ulët, besoj se nuk ia vlen të investohet tutje në thëngjill.

Mu për këtë pikërisht në ditën që Qeveria e Kosovës e shpalosi planin e vet për investimin e shifrës treshifrore në thëngjill, shtetet më të fuqishme në botë që janë pjesë e G7 vendosën do ta ndalojnë çfarëdo investimi në gjenerim të energjisë me thëngjill prej tash e tutje.

Elemente tjera të taksës së karbonit që nuk u diskutuan aspak janë ku dhe si do të bëhet shfrytëzimi i të hyrave të mbledhura nga kjo taksë? A do të orientohen ato në adresimin e problemeve ambientale, në lehtësimin e barrës së taksës për grupe të caktuara të konsumatorëve, apo në ngritjen e kapaciteteve hulumtuese në fushën e energjisë dhe të mbrojtjes së ambientit?

E treta: Pak elemente të një tregu funksional energjetik, dhe mungesa e neutralitetit teknologjik

U cek shumë sipërfaqësisht se tregu me forcat e tij do të mundësoj koordinimin dhe harmonizimin e tri shtyllave që i përmenda më lartë, mirëpo munguan informatat se si do të krijohen kornizat e një tregu mekanizmat e të cilit zhvillojnë nxitje të mjaftueshme për investime në kapacitete eficiente dhe efikase të gjenerimit, transmisionit, dhe shpërndarjes, si dhe në rritje të efiçiencës së energjisë.

Lidhur me këtë më duhet t`i ceki disa nga caqet e draftit të strategjisë:

  • Rritja e kapaciteteve gjeneruese nga burimet e ripërtëritshme deri ne 1400 MW (700 me erë dhe 700 solare),
  • Dyfishimi i kapacitetit të ko-gjenerimit në TERMOKOS,
  • 70 MW kapacitet gjenerues të ngrohjes nga burimet e ripërtëritshme,
  • 170 MW kapacitet rregullues fleksibil,
  • Investime në njehsorë të mençur,
  • Ulja e humbjeve në sistemin e shpërndarjes nën 10%

Mungesa e debatit mbi kornizat e tregut dhe organizimi i sektorit energjetik e bën edhe financimin e këtyre caqeve ambicioze shumë të paqartë. Në anën tjetër, kjo edhe më shumë të pa qartë e bën sigurinë e furnizimit, stabilitetin financiar të operatorëve të rrjetit dhe gjeneruesve, si dhe çmimin e energjisë elektrike që amvisëria dhe industria do ta paguajë në të ardhmen.

Meqë kapaciteti cak për energjitë e ripërtëritshme është 1400 MW, shtrohet një pyetje si do të ruhet teprica dhe shpërndarja e sajë në kohë? U përmenden shkurt bateritë si një nga opsionet e vetme. Pyetja është, a është shqyrtuar edhe potenciali i teknologjive të tjera sikurse ato të hidrocentraleve reverzibile si një teknologji e pjekur që përbën mbi 95% të kapaciteteve botërore për ruajtje afatshkurtër dhe afatgjatë të energjisë. Përderisa në draftin e kësaj strategjie fokusi është vendosë vetëm mbi bateritë, fatkeqësisht, nuk ka një trajtim neutral të teknologjive të tjera. Neutraliteti teknologjik është i domosdoshëm për të garantuar funksionim efektiv dhe eficient të tregut energjetik.

Integrim i dobët i industrisë në rritjen e eficiencës së energjisë

Pasi e ceka edhe më lart që energjia elektrike përdoret në masë të lartë nga industritë prodhuese dhe shërbyese, çdo lëvizje në çmimin e energjisë ndikon drejtpërsëdrejti në konkurrueshmërinë vendore dhe ndërkombëtare të saj varësisht nga industria, teknologjia, dhe niveli i efiçiencës së energjisë.

Disa nga pjesëmarrësit e debatit e cekën me të drejtë edhe temën e eficiencës së energjisë. Kjo temë diskutohet qe një kohë të gjatë, mirëpo me një diskurs diskriminues ndaj industrisë Kosovare, e cila bartë mbi shpatullat e saj një numër të lartë të vendeve të punës. Ky diskurs u ndje edhe në këtë debat.

Nga një logjikë e thjeshtë, nëse ndërmarrjet kosovare ndihmohen t`i reduktojnë faturat e energjisë qoftë përmes investimeve në makineri të reja, qoftë përmes izolimit termik të objekteve, atëherë direkt dhe indirekt ndihmohet çdo shtresë e shoqërisë dhe në përgjithësi shteti ynë korrë përfitime të mëdha ekonomike dhe shoqërore.

Por, në këtë prezantim nuk u përmend edhe ndonjë incentivë serioze për izolimin e ndërtesave ekzistuese residenciale e shtëpive që t’i futen programeve të efiçiencës me qëllim të uljes së fakturës së rrymës për amvisëri, që është edhe konzumuesi më i madh i energjisë gjatë dimrit.

“Kur s`ka shi bën breshër”

U cek nga ministrja Artane Rizvanolli se hartimi i strategjisë është shoqëruar fatkeqësisht me një mungesë të dhënave të detajuara, të domosdoshme sidomos në pjesën e modelimit. Mungesa e të dhënave e bën padyshim të vështirë hartimin e një strategjie cilësore. Prandaj edhe personit përgjegjës për modelimin e disa parametrave të strategjisë iu drejtuan disa pyetje të drejtpërdrejta nëse nga kjo mungesë e madhe e të dhënave, parametrat e vlerësuar pësojnë deformime nga ndryshimi i supozimeve të bëra? Fatkeqësisht në këto pyetje nuk pat ndonjë përgjigje të drejtpërdrejtë dhe sqarimet e këtij eksperti ndërkombëtar mbetën të paqarta për pjesëmarrësit në debat.

Po e vendosi theksin në disponueshmërinë e të dhënave sepse mungesa e tyre e bën thuajse të pamundur hartimin e një strategjie të aplikueshme dhe të besueshme. Ndërtimi i strategjisë kërkon skanim të gjendjes aktuale dhe mbi këtë bazë bëhen plane se si të arrihet një cak i caktuar. Shpresoj, se Qeveria e Republikës së Kosovës nuk niset me parimin “kur s`ka shi, bën edhe breshër”.

Pas shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme energjetike, së bashku më disa kolegë nga universitete të ndryshme dhe kompani liderë në Evropë ia ofruam shërbimet tona këshilluese (pa ndonjë kompensim monetarë) Qeverisë së Republikës së Kosovës në hartimin e strategjisë dhe hapave të domosdoshëm për tejkalimin e krizës energjetike.

Në takimin që kemi pasur në janar të këtij viti, njëra nga pikat kryesorë që ne e kemi cekur ka qenë mbledhja, menaxhimi, dhe përpunimi i të dhënave. Ne ishim atëherë të vetëdijshëm se ka mungesë të madhe të të dhënave, mirëpo ishim edhe të bindur se ato duhet mbledhur dhe ne do t`ia dilnim kësaj sfide duke u bazuar në diversitetin e ekspertizës së grupit.

Si përfundim, Strategjia e Energjisë 2023-2031 duhet patjetër të bëj:

  • harmonizimin e tri shtyllave për furnizim të qëndrueshëm: (a) kapacitete adekuate të gjenerimit, transmetimit, dhe shpërndarjes; (b) stabilitet financiarë të operatorëve gjenerues, të transmisionit, dhe të distribucionit; dhe (c) çmime të përballueshme dhe konkurruese për konsumatorët shtëpiak dhe industrial,
  • një analizë të detajuar dhe gjithëpërfshirëse të gjitha opsioneve me qëllim që asnjëra nga këto tri shtyllat mos të rrezikohet, dhe
  • në kuadër të zhvillimit të saj të bëhet grumbullimi urgjent i të dhënave dhe skanim i detajuar i gjendjes.

Qeveria e Republikës së Kosovës padyshim që ndodhet para një testi të vështirë. Në fillimin e punës së saj u ndesh me pandeminë, të cilës iu shtua edhe kriza energjetike. Më një qasje gjithëpërfshirëse, syhaptësi, zgjuarsi, maturi, dhe guxim, Qeveria e Republikës së Kosovës krizën energjetike duhet ta shfrytëzojë si një mundësi për dizajnimin e politikave ambicioze për dekarbonizim të këtij sektori dhe sigurim të furnizimit të qëndrueshëm, duke i balancuar tri shtyllat e cekura më lart.

Adhurim Haxhimusa është doktor i shkencave të ekonomisë me specializim në ekonominë e energjisë. Ka ligjëruar në Universitetin e Ekonomisë dhe të Biznesit të Vjenës në Austri nga 2013 deri 2019. Nga shtatori i vitit 2019 është ligjërues dhe hulumtues shkencorë në Universitetin e Shkencave të Aplikueshme të Grizonit (FHGR) në Zvicër. Fusha e hulumtimeve të tij janë ekonomi e energjisë, politikat e energjisë, politikat e klimës, vlerësimi i efekteve anësore klimatike, ekonometria e aplikueshme, ekonomiksi i rregullimit të tregut. Doktorata e tij është dekoruar me çmimin “Stephan Koren Preis”.