Energjia e erës, Foto: Pixabay

Deputeti gjerman Hofreiter flet për nevojën e Kosovës për energji të gjelbër

Deputeti i partisë së gjelbër në Parlamentin e Gjermanisë, Anton Hofreiter, në emisionin “Kallxo Përnime”, ka thënë se për Kosovën është më e dobishme që të ndërtojë më shumë ferma të erës.

Hofreiter teksa ka folur për situatën me energjinë ka thënë se Gjermania ka rezervat më të mëdha të thëngjillit në Evropë, por nuk shihet si zgjidhje sepse shkatërrojnë klimën.

“Unë mendoj se për Kosovën është më e dobishme që të ndërtojë më shumë mullinj me erë dhe fotovoltaikë pasi që keni më shumë erë dhe diell dhe keni një shancë shumë të mirë që të bëheni një prodhues i besueshëm i energjisë së pastër e cila me siguri se është e ardhmja” – ka thënë ai.

Deputeti gjerman tutje ka thënë se për të gjithë duhet përshpejtohet prodhimin e energjisë së ripërtritshme, sepse rrezikohet e ardhmja.

Ai ka folur edhe për investuesit gjermanë të cilët dëshirojnë të investojnë në energjinë e gjelbër në Kosovë.

“Ata po presin dhe pengesat me të cilat ata po ballafaqohen janë të njëjta gati kudo në botë. Vendimet duhet të merren shpejt. Ne kemi të njëjtat probleme në Gjermani” – ka thënë tutje ai.

Sipas deputetit gjerman Hofreiter kjo vjen për faktin se për shumicën e vendeve energjia e ripërtëritshme është e re, dhe ngjall pyetjet se a funksionon vërtet dhe a është e besueshme.