Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Termokos me kontratë për instalimin e nënstacioneve të reja të ngrohtores

Ngrohtorja Termokos ka njoftuar se është nënshkruar kontrata për instalimin e nënstacioneve të reja, rezervuarit të nxehtësisë dhe sistemit SCADA.

Në komunikatën e Termokos thuhet se nënshkrimi i kësaj kontrate është në kuadër të projektit “Përmirësimi i ngrohjes qendrore në Prishtinë”, i cili realizohet në saje të mbështetjes së Bankës Gjermane për Zhvillim (KfW).

Në bazë të kontratës, konzorciumi i kompanive “ERGOTERM & BRUNATA” nga Greqia dhe Bullgaria, i përzgjedhur nga KfW do të bëjë instalimin e 320 nënstacioneve të reja, plotësisht të automatizuara në lagjen “Mati 1”, tek Parku i qytetit, “Arbëria”, “Ulpiana”, “Dardania”, “Bregu i diellit” dhe “Qendër” si dhe do të rehabilitohen 235 nënstacione ekzistuese.

Gjithashtu në komunikatë thuhet se planifikohet ndërtimi i një rezervuari të nxehtësisë me kapacitet 800m³, i cili do të shërbejë për akumulimin e energjisë termike, instalimi i disa pompave, rehabilitimi i sistemit për mbajtje të shtypjes në rrjetin primar si dhe sistemin e kontrollit nga distanca SCADA.

Projekti për zgjerimin dhe rehabilitimin e rrjetit të ngrohjes është duke u realizuar në saje të një donacioni në vlerë të 10 milionë eurove nga Banka Gjermane për Zhvillim (KfW).