Matesit per radiatore

"Termokosi" subvencionohet me 5 milionë euro për zgjerim të rrjetit të ngrohjes, zonat që do të përfitojnë

Komuna e Prishtinës ka ndarë 5 milionë euro si subvencion për ngrohtoren “Termokos” në mënyrë që kjo e fundit të bëjë zgjerim të rrjetit në disa zona të kryeqytetit.

Me anë të një vendimi të miratuar në Kuvendin Komunal më 2 nëntor 2023, komuna bazuar në Ligjin për menaxhimin e financave publike ka bërë trasferim të 14,48% të vlerës së buxhetit nga drejtoria e investimeve kapitale në atë të subvencioneve për vitin fiskal 2023, ku u përfshi “Termokos” dhe ndërmarrja “Pastrimi”.

Kryetari Përparim Rama tha se ligji lejon që 15% e buxhetit të rishqyrtohet në këtë tremujor të vitit buxhetor.

“E kemi bërë buxhetimin për këtë vit dhe ndodh që për shkaqe të ndryshme një numër i projketeve nuk shkojnë përpara, ka probleme të shumta, andaj është bërë ky transferim”- ka thënë Rama.

Ky vendim erdhi pas kërkesës së ndërmarrjes e cila planifikon të bëjë kyçje në Lagjen Kalabria me 70 mijë metra katrorë, në Lakrishtë me 500 mijë metra katrorë, banesat e bardha në Bregun e Diellit me 70 mijë metra katrorë dhe Kazerma “Adem Jashari” me 90 mijë metra katrorë.

Ndërsa nënkryetari Alban Zogaj potencoi se Ligji për menaxhimin e financave publike u jep të drejtë komunave të bëjnë transferim të mjeteve nga një kategori në tjetrën nëse mjetet janë të lira dhe nuk shkaktojnë ndikime negative në projektet aktuale.

Aktualisht “Termokos” ofron shërbimet e ngrohjes dhe është e organizuar në këto rajone të Prishtinës: Qendra, Ulpiana (përfshin edhe njësinë e QKUK-së), Dardania, Kodra e diellit, Kalabria (pjesërisht), Mati dhe Arbëria, derisa shtrirje është duke u bërë edhe në zonën e Aktashit.

Sezona ngrohëse fillon më 15 tetor deri më 15 prill.