Policia e kosoves

Foto: Afrim Ejupi / KALLXO.com

Tentimvrasja me thikë ndaj 25 vjeçarit në Istog, nuk ka të arrestuar

Një 25-vjeçar është therur dje me thikë nga disa persona të panjohur.

I njëjti sipas Spitalit të Përgjithshëm në Pejë është pranuar me tetë plagë, e sipas Policisë së Kosovës viktima ishte therë shtatë herë.

Lidhur me rastin, fillimisht Policia kishte thënë se janë arrestuar tre persona të dyshuar, mirëpo diçka e tillë është mohuar nga ana e Prokurorisë Themelore në Pejë.

Zëdhënësi i kësaj Prokurorie, Shkodran Nikçi në një përgjigje për KALLXO.com ka thënë se nuk ka pasur persona të arrestuar, por vetëm një person është shoqëruar në stacion policor.

“Fillimisht nuk ka qenë askush i arrestuar për këtë rast, mirëpo një person ka qenë i shoqëruar në polici, ndërsa dy të tjerë i janë përgjigjur ftesave dhe janë paraqitur” – ka thënë Nikçi.

Tutje zëdhënësi Nikçi bëri me dije se pas marrjes së deklaratave nga hetuesit policor këta dy të fundit janë lënë të lirë për shkak se është bërë verifikimi i vendndodhjes së tyre kohën kur ka ndodhur sulmi ndaj viktimës.

Nikçi tregoi se pas kësaj janë autorizuar Policia e Kosovës që përmes veprimeve hetimore të identifikojnë personin apo personat e dyshuar që kanë kryer këtë vepër penale ndaj viktimës.

“Pasi të identifikohet kryesi apo kryesit e kësaj vepre, i njëjti/it do të arrestohen. Intensivisht është duke u punuar në këtë drejtim” – tregoi Nikçi.

Në anën tjetër, raportimi në Policinë e Kosovës për këtë rast është bërë nga ana e nënës së viktimës.

Përderisa nga ana e forcave të rendit është thënë se tre të arrestuarit janë liruar në procedurë të rregullt dhe se rasti është iniciuar si “Vrasje në tentativë”.

Gjendja e viktimës është jashtë rrezikut për jetë.

Kjo është konfirmuar edhe nga ana e Spitalit të Pejës, të cilët kanë thënë se në ditët në vijim pritet edhe lirimi i 25-vjeçarit për në shtëpi.

Sipas njoftimit të spitalit, pacienti ka qenë në gjendje të rënduar shëndetësore dhe ka pasur plagë në kokë, ekstremitete dhe pjesë të tjera të trupit.