Tentim grabitje në pikë të ditës në një institucion mikrofinanciar në Prishtinë

Një tentim grabitje ka ndodhur sot në mesditë në Prishtinë, në një institucion mikrofinanciar, pasi persona të dyshuar kanë kërcënuar me armë një punëtore.

Rastin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinë, Florie Ahmeti.

“Sot rreth orës 12:00, kemi pranuar informatën për një tentim grabitje në rrugën UÇK në Prishtinë. Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni strukturat policore për hetimin e krimit kanë dalë në vendin e ngjarjes”, ka thënë ajo.

Sipas Ahmetit, mbështetur në rezultatet e veprimeve të para hetimore, dyshohet se të dyshuarit kanë tentuar të realizojnë grabitjen duke kërcënuar me armë një punëtore në një institucion mikrofinanciar.

“Derisa ekzaminimi po vazhdon në vendngjarje, hetuesit policor janë duke punuar në identifikimin dhe arrestimin e personave të dyshuar”, thuhet në përgjigjen e zëdhënëses së policisë.