Tenderët e hapur për maska e pajisje në kohë pandemie do të hetohen nga policia

Në emisionin e sotëm në “Drejtësia në Kosovë”, Drejtori i Departamentit të Hetimeve në Policinë e Kosovës, Riza Shillova ka thënë se do të hetohen tenderët e dhënë në kohë të pandemisë për të cilët janë ngritur dyshime për keqpërdorime të parasë publike.

KALLXO.com gjatë kësaj kohe ka raportuar shumë për kontratata e dhëna nga institucione qendrore dhe komunat në lidhje me pajisje mjekësore, dezinfektues, produkte ushqimore e shërbime të dezinfektimit të rrugëve e objekteve që janë dhënë gjatë kohës së pandemisë COVID-19 në Kosovë.

Madje KALLXO.com ka zbuluar edhe se Komuna e Mitrovicës së Jugut, duke tentuar të arsyetojë blerjen e maskave me një çmim prej 10 euro, e ka mashtruar opinionin duke thënë se maskat janë të prodhuara në Amerikë.

Drejtori i Hetimeve të Policisë së Kosovës, Riza Shillova në një intervistë ekskluzive për Drejtësia në Kosovë ka treguar se çdo informacion për keqpërdorim të parasë publike në tenderët e dhëna nga ana e institucioneve qeveritare apo komunale do të trajtohen dhe hetohen.

“Sigurisht që mbledhim të gjitha inforacionet jemi duke i tubuar por nuk kemi diçka konkrete ndonjë hetim konkret që do të kishte interes të shpalosej para opinionit që të tregojmë se cilat raste jemi duke trajtuar sepse akoma skemi ndërtu një rast të veçantë për të gjitha informacionet do të anlaizohen. Në baza ditore bëjmë analiza të ketyre informacioneve që publikohen në media”, ka thënë Shillova.

Madje i njëjti tregoi se është herët për rezultate.

“Nuk mundemi me pas rezultate kaq shpejt por të gjitha informacionet apo kërkesat dhe të ministrit Vitia por edhe ministrave të tjerë i kemi trajtuar por kemi kërkuar edhe nga hetuesit tonë që të angazhohen që të mos lejohen abuzime të tilla. Të gjitha rastet e tilla do të hetohen por ju siguroj që asnjë informacion që ka dalë për të cilin ka dijeni dikush nuk është që nuk është trajtu”, shtoi ai.

Sipas Shillovës, ka pasur një bashkëpunim të ngushtë që nga fillimi me ATK-në.

“Përpos angazhimit policor për parandalim dhe luftim të infeksionit, policia ka pasur parasysh edhe këtë fakt dhe bashkarisht me ATK që nga dita e parë ë bashkëpunimit kemi angazhuar ekipet tona në isnpektime të ndryshme nëpër ndërmarrje dyqane”, tha Shillova.

“Ka pasur shumë informacione nëpër media të gjitha informacionet i kemi mbledhur. Ka pasur raste edhe te pjesa e parë që bashkë me ATK janë identifikuar subjekte që nuk kanë qenë në harmoni me atë që është kërkuar gjatë kësaj periudhe që të mos ketë rritje të çmimeve, ka pasur dënime që janë dhënë nga ATK”, tha tutje Shillova.

Madje sipas Shillovës janë angazhuar tri sektore të ndryshme brenda Policisë së Kosovës për të trajtuar keqpërdorimet me këto raste.

“Të ju them të drejtën nuk kemi pasur diçka konkrete apo detaje. Të gjitha informacionet që i kemi marrë i kemi trajtuar. Kemi angazhuar edhe sektore që merren me këto raste dhe besoj që nëse ka elemente dhe ka fakte që tregojnë që ka pasur keqpërodrime do të hetohen”, shtoi ai.

I pyetur në lidhje me dosjet dhe tenderet nëse do të hapen të gjitha dhe të shiqohet për keqpërodrim, Shillova tha se një gjë e tillë është e pamundur.

“Jo çdo kontratë por i trajtojmë informacionet ku kemi dyshime për keqpërdroime por jo të gjitha sepse nuk mundemi me i auditu të gjitha por ftojmë të gjithë që të na informojnë ne me informacione të sakta apo material që na jep hapësirë me zhvillu hetime”, tha ai.

Raportime të shumta janë bërë në KALLXO.com në lidhje me keqpërdorimin e parasë publike në lidhje me tenderët e dhënë nga ana e institucioneve komunale dhe qeveritare.

KALLXO.com ka shikuar kontratat që Komunat i kanë nënshkruar me operatorë ekonomikë, për dezinfektimin. Të gjitha kontratat i kanë nënshkruar me procedurë të negociuar pa publikim të njoftimit të kontratës.

Kjo procedurë përdoret në rastet emergjente dhe institucioni publik nuk hap fare tender, por i kontrakton operatorët ekonomikë pa konkurrencë për të ofruar shërbime.

Komuna e Deçanit me 10 prill, ka nënshkruar një kontratë për ‘Furnizim emergjent me material hixhenik dhe material tjetër për masat mbrojtëse kundër COVID- 19’.

Kjo kontratë, vlerën e përgjithshme e ka 39 mijë e 900 euro, ndërsa fitues i kësaj kontrate është operatori ekonomik me emrin ‘Gipa’.

Ndërsa sipas kontratës së nënshkruar, një dezinfektues për duar – gel 50 ml, komunës së Deçanit i ka kushtuar 4 euro, ndërsa ka porositur 1 mijë të tillë, në vlerë totale prej 4 mijë. Kurse dezinfektues për duar – lëngshëm 150ml, i ka kushtuar 3.50 euro, ku janë porositur 1 mijë e 800 të tillë, në vlerë totale prej 6 mijë e 300 eurove.

Komuna e Podujevës me datë 13 mars 2020, ka nënshkruar një kontratë për ‘Furnizim emergjent me mjete dhe pajisje mbrojtëse për nevoja të shërbimit të Epidemiologjisë – QKMF Podujevë’.

Kontrata është në vlerë të përgjithshme prej 18 mijë euro dhe fitues i kësaj kontrate është grupi i operatorëve ekonomik ‘Neramed’ dhe ‘Genius Kosova’. Tenderimi është bërë me procedurë të negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë.

Tenderët në kohë pandemie, 8 euro për një dezinfektues 500ml

Mashtrimi i Komunës së Mitrovicës së Jugut për maskat