EULEX prezanton raport nga monitorimi i sistemit të drejtësisë

EULEX-i prezantoi raportin e parë publik të Monitorimit Sistematik dhe Tematik të Drejtësisë.

Ky raport u publikua në një ambient të hapur dhe me numër të kufizuar të pjesëmarrësve për shkak të situatës së krijuar nga virusi COVID-19.

Raporti është i përbërë nga gjetje dhe rekomandime për përmirësimin e sundimit të ligjit në Kosovë.

Për përgatitjen e këtij raporti, i cili e mbulon periudhën prej muajit shtator 2019 deri në mes të muajit mars 2020, personeli i EULEX-it i ka monitoruar 107 raste dhe ka marrë pjesë në 312 seanca.

Të pranishëm me rastin e publikimit të këtij raporti ishin: Lars-Gunnar Wigemark, Shef i Misionit EULEX, Selim Selimi, Ministër i Drejtësisë, Skender Çoçaj, Kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Bahri Hyseni, Kryesues i Këshillit Prokurorial të Kosovës si dhe Riza Shillova, Drejtor i Drejtorisë së Hetimeve në Policinë e Kosovës.

Me rastin e prezantimit të këtij raporti Lars-Gunnar Wigemark, Shef i Misionit EULEX tha se raporti identifikon trende pozitive dhe negative sa i përket trendit të drejtësisë në Kosovë dhe se publikimi i këtij raporti i ndihmon ngritjes së transparencës në sistemin e drejtësisë në vend, lidhur me çka i  falënderoi institucionet e Kosovës për bashkëpunimin e treguar.

“Qëllimi i publikimit të raportit është ngritja e transparencës lidhur me atë se çka bën BE në Kosovë, mendoj që duke e ndarë së bashku me ju këtë raport atëherë do të luftojmë se çka duhet të bëjmë për ta bërë drejtësinë në Kosovë më efikase”, tha Wigemark.

Ministri i Drejtësisë Selim Selimi deklaroi se te gjeturat e këtij raporti do të jenë udhërrëfyes i institucioneve të drejtësisë drejt rrugës për forcimin e sundimit të ligjit në vend.

“Kosova ka bërë progres substancial dhe po ec me hapa të sigurt drejt konsolidimit të sistemit të drejtësisë. Të gjeturat duhet të jenë udhërrëfyes për forcimin e  sundimit të ligjit. Strategjia për sektorin e sundimit të ligjit do të jetë dokumenti kryesor reformues. Implementimi i strategjisë së sundimit të ligjit është kryesor për të ardhmen e Kosovës dhe sundimin e drejtësisë”, tha Selimi.

Ndërsa kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Skender Çoçaj tha se raport i pasqyron të arriturat si dhe sfidat me të cilat përballet çdo ditë sistemi gjyqësor.

Lidhur me rekomandimet që janë paraqitur në këtë raport, Çoçaj tha se KGjK i vlerëson jashtëzakonisht gjetjet e raportit dhe se do ti ketë parasysh të gjitha.

Lidhur me gjetjet e raportit për numrin e madh të dështimit të seancave gjyqësore si rezultat i mungesës së palëve në procedurë, Çoçaj tha se këtu fajin nuk e kanë vetëm gjyqtarët por që faji është i përbashkët i të gjitha palëve që janë të përfshira në procedurë.

“Duke filluar nga seancat jo produktive apo seancat që dështojnë, KGjK vlerëson se në dështimin e këtyre seancave hisetar jemi të gjithë, këtu mendoj që pajtohet edhe kryesuesi i KPK-së e edhe kryetari i Odës së Avokatëve”, tha Çoçaj.

Kurse sa i përket rasteve të profilit të lartë, Çoçaj tha se ka përparime në këtë drejtim, pasi së fundmi tha se kanë kërkuar nga Kryetarët e Gjykatave që bashkërisht me gjyqtar këto raste ti trajtojnë në mënyrë më urgjentë, në mënyrë që kur të caktohet një seancë atëherë këto seanca të jenë të vazhdueshme për disa ditë, në mënyrë qe një rast i profilit të lartë të fillohet dhe të përfundohet në mënyrë të vazhdueshme.

Çoçaj përmendi edhe departamentin special, departament për të cilin tha se ndonëse është formuar vitin e kaluar tashmë ka rezultate të dukshme dhe sa i përket rritjes së numrit të gjyqtareve, Çoçaj tha se tashmë është shpallur konkursi për gjashtë gjyqtar në shkallë të parë në departamentin special, dhe gjashtë gjyqtar të tjerë në shkallë të dytë të departamentit special.

Bahri Hyseni, Kryesues i Këshillit Prokurorial të Kosovës, tha se i vlerëson jashtëzakonisht gjetjet e raportit dhe se disa nga rekomandimet e dhëna në këtë raport tashmë janë veçse të evidentuara edhe nga KPK dhe se ka nisur zbatimi i tyre.

“Një pjesë e këtyre rekomandimeve veçse kanë progres te matshëm sepse për to kemi punuar një kohë të gjatë. KPK ka qenë e angazhuar qe të përmirësoj sistemin duke ngritur llogaridhënien, integritetin dhe profesionalizmin në mënyrë që qytetarët ti marrin shërbimet që i meritojnë. Dhe tanimë secila lëndë trajtohet brenda një afati ligjor të përcaktuara ashtu siç e kërkon Kodi Penal dhe Kodi i Procedurës Penale”, tha Hyseni.

Sa i përket vlerësimit të përformancës së prokurorëve, Hyseni tha se KPK ka bërë 374 vlerësime të përformancës së prokurorëve nga të cilat tha se prokurorët kanë pasur edhe përformancë të mirë po edhe përformancë jo të mirë e të pamjaftueshme dhe se kanë hasur edhe në raste kur prokurorët është dashur t’i dërgojnë në trajnime të detyrueshme, ku disa prej tyre edhe kanë marrë ndëshkime disiplinore.

Sa i përket sekuestrimit dhe konfiskimit, Hyseni tha se konfiskimi përfundimtar është vendim i Gjykatës ndërsa sipas tij janë me qindra miliona euro te sekuestruara, ka lëvizje pozitive por që prapë ka vend për pakënaqësi.

Kurse Riza Shillova, Drejtor i Drejtorisë së Hetimeve, Policia e Kosovës tha se ajo çfarë e bënë më të veçantë këtë raport janë faktimet që janë bërë nga njerëz që e njohin monitorimin dhe se monitorimi është bërë në secilën hallkë të sistemit të drejtësisë.

“Për Policinë e Kosovës raporti përputhet me aktivitetet dhe detyrimet që i kemi në parandalimin e krimit të organizuar e korrupsionit, do të bëjmë përpjekje që ti shtojmë e bashkërendojmë aktivitetet tona që përmirësojmë dhe fuqizojmë sistemin”, tha Shillova.

Shillova tha se Policia do të bëjë përpjekje edhe për hetimin e krimeve të luftës, me ç ‘rast deklaroi se lidhur me këtë ndihmë jashtëzakonisht e madhe do të jetë edhe profilizimi i Prokurorisë Speciale.