Drejtori i AKK-së i cilëson si shkelje të rënda keqpërdorimet me tenderë për maska në pandemi

Në emisionin “Kallxo Përnime”, drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Yll Buleshkaj, ka thënë se shkeljet administrative gjatë prokurimit në tenderët e maskave gjatë kohës së pandemisë janë shkelje të rënda.

Ai ka thënë se për këtë arsye vazhdimi i hetimeve është bartur në prokurori.

“Ne kemi plot raste për shkelje administrative gjatë prokurimit, por të cilat kryesisht janë hetuar pastaj edhe nga prokuroria. Në të gjitha informata i kemi bartur në prokurori dhe i kemi mbyllur nga ana jonë”, ka thënë Buleshkaj.

Tutje drejtuesi i AKK-së ka thënë se në këto raste pretendimet kanë qenë kryesisht për shkelje të rënda, të cilat nuk mund të klasifikohen si shkelje administrative.

“Nuk mund të themi se kemi bërë shumë në atë aspekt. Ato janë trajtu, dhe kryesisht kanë qenë pretendime për shkelje të rënda të cilat nuk mund të klasifikohen si shkelje administrative për këtë arsye AKK i ka bartur të gjitha informatat dhe i ka mbyllur nga ana e jonë shumicën e rasteve”, shtoi ai.

Sipas Buleshkajt, ka pasur raste kur nuk janë gjetur dëshmi, mirëpo ka pasur raste të tjera kur është gjetur ndonjë informatë të cilat nuk e kanë mundësuar që AKK të finalizojë hetimet.

“Nëse ne nuk kemi gjetur dëshmi, ne e mbyllim rastin pasi nuk kemi gjetur dëshmi. Ka plot raste kur ne mund të gjejmë ndonjë informatë e cila nuk na mundëson neve ta finalizojmë hetimin dhe pastaj ne e bartim si informatë në prokurori”, ka thënë ai.

Më 17 prill 2020, KALLXO.com kishe publikuar një hulumtim ku shfaqej mashtrimi i Komunës së Mitrovicës së Jugut për maskat.

Kjo komunë, duke tentuar të arsyetojë blerjen e maskave me një çmim prej 10 euro e kanë mashtruar opinionin duke thënë se maskat janë të prodhuara në Amerikë.

Kompania që e ka furnizuar Komunën dhe Dogana e Kosovës e kanë demantuar Komunën e Mitrovicës së Jugut dhe Agim Bahtirin për origjinën e maskave.

KALLXO.com ka raportuar Komuna e Mitrovicës së Jugut, e udhëhequr nga Agim Bahtiri, ka nënshkruar një kontratë për furnizim me materiale për mbrojtje nga COVID-19, me disa produkte që i kanë kushtuar më shtrenjtë se Komunës së Dragashit.

Komuna e Mitrovicës së Jugut ka paguar 10 euro për një maskë me filtër të tipit FFP2 në një tender për furnizim me materiale për mbrojtje nga COVID-19. Për 700 copa ‘maska FFP2’, Komuna e udhëhequr nga Agim Bahtiri ka paguar 7 mijë euro.

Të njëjtën maskë, pra FFP2, Komuna e Dragashit e ka blerë për vetëm 3.8 euro. Komuna që udhëhiqej nga Shaban Shabani i ka blerë 4,500 maska të tilla për 17 mijë e 100 euro përmes tenderi për furnizim me materiale mbrojtëse nga COVID-19.

Të dy tenderët janë shpallur me procedurë emergjente pa publikim të njoftimit për kontratë.

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri ka telefonuar në redaksinë e KALLXO.com rreth orës 11:36 dhe ka thënë se maskat e blera nga kjo Komunë janë amerikane të cilat në treg nuk mund të gjenden me një çmim prej 15 deri në 20 euro. Madje ai ka thënë se nëse ka në treg maska FFP2 me çmim nën 15 euro ai do të jap dorëheqje.

“Maska që e kemi ble na është amerikane, të cilat për momentin në treg janë 15 deri në 20 euro. Nëse gjen në treg nën 10 euro, çka dush po të jap. Ne jemi të pastër në këtë pjesë, dhe nuk ka shanse dikush me pas 1 cent lirë se ne. Të njëjtat maska të Kinës që kanë ardhë prej Ministrisë janë 8.90 centë, domethënë të Kinës, jo të Amerikës”, ka thënë Bahtiri për KALLXO.com.

Më pas Komuna e Mitrovicës së Jugut ka lëshuar një reagim për media rreth artikullit të publikuar në KALLXO.com. Serish kanë thënë se maskat janë paguar nën çmimin e tregut.

“Pra maskat e porositura nuk janë maska të thjeshta, por janë maska speciale me filtër të tipit FFFP2 nga brendi i njohur 3M të prodhuara në ShBA, për të cilat çmimi i tregut në Kosovë në kohën e pandemisë, pas rritjes së kërkesës për blerje dhe mungesës së sasisë së nevojshme në treg sillet nga 15-18 euro. Ndërkaq ju informojmë se Komuna e Mitrovicës për këtë produkt ka paguar vetëm 10 euro për copë”, thuhet në reagimin e Komunës së Mitrovicës.

KALLXO.com ka hulumtuar në të dhënat e importit të maskave që janë publikuar në ëeb-faqen e Doganës së Kosovës.

Asnjë prej importeve të maskave në vitin 2020 nuk janë importuar nga ShBA-të. Pjesa dërmuese e maskave është importuar nga Kina. Ndërsa, vetëm dy dërgesa janë India, ndërsa nga një janë nga: Republika Çeke, Shqipëria, Turqia dhe Franca.

Kurse, sa i përket maskave FFP2, sipas të dhënave të Doganës së Kosovës ato janë importuar vetëm nga Kina.

E në reagimin e Komunës së Mitrovicës thuhet se maskat nuk janë të Kinës.

“Ministria e Shëndetësisë për maskat e tipit FFP2 të prodhimit kinez ka paguar 8.90 euro. Pra Komuna e Mitrovicës ka paguar vetëm 10 euro për prodhim amerikan”, thuhet në reagimin e Komunës së Mitrovicës.

Pronari i kompanisë: Maskat nuk janë prodhim amerikan

KALLXO.com ka kontaktuar me Ismail Shabanin, pronarin e kompanisë “KIGA”, e cila e ka furnizuar Komunën e Mitrovicës me produktet e porositura.

Shabani nuk ka treguar se nga cilin vend janë importuar maskat dhe as nuk ka treguar për origjinën e tyre. Ka thënë vetëm se maskat janë model amerikanë.

“Maskat që janë dërgu në Komunën e Mitrovicës, janë model amerikan, janë maska me filtër, nuk janë maska të thjeshta dhe nuk janë prodhim vendor. Janë të importuara por i kemi licencat. Nuk po thuni që në këtë kohë shyqyr që po i gjeni këto produkte se është shumë problem me i siguru e tani me fol për çmimet, çmimet janë ngrit qysh janë ngrit krejt”, ka thënë Shabani. “Nuk mundem me ta tregu vendin e origjinës. Është konfidenciale.”

Shabani është kontaktuar edhe njëherë dhe është ballafaquar me të dhënat e Doganës së Kosovës që nuk ka import të maskave nga Amerika në vitin 2020.

Ai ka thënë se maskat kanë licencë amerikane, por nuk janë të prodhuara në Amerikë. Shabani ka thënë se konsumatorit, pra Komunës së Mitrovicës, i ka treguar për origjinën e maskave, por ka refuzuar të tregojë për KALLXO.com. Por, ai ka thënë se maskat nuk janë prodhim amerikanë.

“Janë me licencë amerikane, janë të importuara, nuk janë produkt i Kosovës. Nuk jam i detyrum prej ku e kam importu mallin se munden me u keqpërdor. Me licencë amerikane, është model amerikan, importim të Amerikës nuk kam përmend”, ka thënë Shabani. “Po po, ata janë të njoftuar”, ka thënë Shabani kur është pyetur nëse e ka njoftuar komunën e Mitrovicës për origjinën e maskave.

Agim Bahtiri është telefonuar për herë të tretë dhe është ballafaquar me të dhënat e Doganës së Kosovës. Bahtiri ka thënë se nuk ka informacione dhe se nuk e di se çfarë reagimi ka lëshuar komuna e udhëhequr nga ai.

“Mos më vet mu se unë nuk e di çka kanë bo në reagim”, ka thënë Bahtiri për KALLXO.com kur është pyetur se në reagim është thënë se maskat janë të prodhume në Amerikë.

Ai sërish është paraqitur se nuk ka informacione dhe ju ka referuar si “respirator” që janë të prodhuara në Korenë e Jugut.

“Ato janë të Koresë së Jugut. Janë të prodhume në Korenë e Jugut”, ka përfunduar ai.

Bahtiri: Mos e barazo Mitrovicën me Dragashin, ajo as komunë nuk është

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri është ankuar se pse Komuna e Mitrovicës është krahasuar me Komunën e Dragashit sa i përket furnizimit me materiale mbrojtëse për coronavirus.

Edhe pse në të dy kontratat, të Dragashit dhe Mitrovicës janë porositur maska të njëjta “FFP2”, por me çmime të ndryshme, Mitrovica i ka blerë më shtrenjtë se Dragashi, Bahtiri insiston se nuk janë maskat e njëjta.

“Të Dragashit nuk janë maskat e tilla, ti i ke barazu. Krejt çka ka unë jam ma i liri në krejt komunat. Ne i kemi kërku të gjithë operatorëve dhe e kemi marrë çmimin më të lirë. Nëse gjen qesi maske në treg nën 15 euro, unë jap dorëheqje sot. Nuk mundet me u barazu një maskë 3.5 euro, është absurde. Merre maskën e Dragashit edhe tonën, se nuk po e si çka ka shkru ai. Lloji është ndryshe, prodhimi është ndryshe, merre kqyre”, ka deklaruar Bahtiri për KALLXO.com.

Madje Bahtiri ka thënë se Komuna e Mitrovicës nuk bën të barazohet me Dragashin, pasi ajo as komunë nuk mund të quhet.

“Mos e barazo Komunën e Mitrovicës me Komunën e Dragashit. S’di çka na ke marrë me atë komunë, që as Komunë nuk është”, ka përfunduar ai.

Në reagimin e Komunës së Mitrovicës për artikullin e KALLXO.com thuhet se edhe pse Komuna e Dragashit ka nënshkruar kontratë për blerjen e maskës FFP2 me këtë çmim 3.8 euro, operatori nuk i është përgjigjur komunës për furnizim me këto materiale.

Sipas Komunës së Mitrovicës, këtë informacion e ka konfirmuar vetë kryetari i Dragashit, Shaban Shabani.

“Këtë informacion ia ka konfirmuar kryetari i Dragashit kryetarit të komunës së Mitrovicës sot gjatë një bisede telefonike për mos furnizim me këtë produkt, pra mos përgjigjen e operatorit fitues në komunën e Dragashit me furnizim me material”, thuhet në reagimin e Komunës së Mitrovicës.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me Shaban Shabanin, kryetarin e Komunës së Dragashit për ta pyetur në lidhje me kontratën për furnizim me material mbrojtës për coronavirus. Shabani ka thënë se ende nuk janë furnizuar me të gjitha produktet e kontraktuara, dhe se ky proces është duke vazhduar.

Ai ka thënë se nuk ka informacione se me cilat produkte janë furnizuar deri më tani duke rekomanduar që të kontaktohet dikush që ka më shumë informacione për këtë.

“Jo hala, është në proces me sa më kanë njoftu shërbimet, janë në proces për me bo furnizimin operatori ekonomik”, ka shtuar Shabani.

Pas Shabanit, KALLXO.com ka kontaktuar zyrtarin e prokurimit në Komunën e Dragashit, Nuro Ismajlin. Ismajli ka thënë se ai nuk ka informacione se me cilat produkte janë furnizuar deri më tani.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me menaxherin e kësaj kontrate në Komunën e Dragashit, Enis Sylejmanin. Sylejmani ka thënë se kompania me të cilën është nënshkruar kontrata për furnizim me material mbrojtës ka kohë deri më 24 prill ta sjell mallin sic është kontraktuar.

“Sipas kushteve të kontratës kanë 10 ditë kohë. Deri me 24 prill duhet me u kry krejt. I kemi marrë një pjesë të produkteve. Kur të mbyllet me 24 prill mundemi krejt informacionet me ua dërgu”, ka përfunduar Sylejmani.

Përveç çmimit të maskave, KALLXO.com ka raportuar se Komuna e Mitrovicës ka paguar shumë më shtrenjtë edhe dezinfektues

Me kontratën e cila është nënshkruar brenda një jave, Komuna e Mitrovicës ka blerë “dezinfektues për ambiente pune” të sasisë 1 litër me çmim prej 15 euro.

Kurse Komuna e Dragashit, përmes kontratës e cila është nënshkruar brenda 8 ditëve, ka blerë “gel dezinfektues” po ashtu të sasisë 1 litër me çmim prej 5.5 euro.

Por, në reagimin e Komunës së Mitrovicës fare nuk është përmend çmimi i paguar për 1 litër dezinfektues.

Mashtrimi i Komunës së Mitrovicës së Jugut për maskat