Drejtori i Hetimeve në Policinë e Kosovës mban mbi 28 mijë para kesh në bankë

Drejtori i Departamentit të Hetimeve në Policinë e Kosovës, Riza Shillova ka deklaruar se posedon 28 mijë e 339 euro para kesh në bankë.

Vet Shillova para kesh ka deklaruar se i ka 20 mijë e 888 euro ndërsa pjesa tjetër janë deklaruar në emër të bashkëshortes dhe fëmijëve.

Drejtori i Hetimeve, ka deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsionit pasuri të paluajtshme në vlerë të 187 mijë eurove.

Në këtë pasuri hyjnë shtëpi, toka e ara të cilat i ka deklaruar në emër të përbashkët si trashëgimi.

Vet Shillova ka deklaruar se vozit një veturë të tipit Mercedes vlera e së cilës është 5 mijë e 200 euro.

Paga vjetore e  tij kap shifrën e 18 mijë e 80 eurove ose për muaj 1 mijë e 506 euro. Shillova ka deklaruar edhe meditjet, avancet dhe një kompensim dëmi.

Te meditjet dhe udhëtimet zyrtare Shillova ka deklaruar se ka marrë 515 euro, avanc për udhëtime zyrtare ka deklaruar se ka marrë 2 mijë e 486 euro ndërsa kompensimin e ka marrë nga një kompani  e fluturimeve në vlerë të 250 eurove.

Përveç Shillovës edhe bashkëshortja e tij ka të hyra vjetore që prekin shifrën e 10 mijë e 357 eurove nga pozita e saj në Laboratorin Qendror të Kriminalistikës.