Policia e Kosovës - Foto: KALLXO.com

Shefi i Hetimeve në Polici për rajonin e Prishtinës emërohet drejtor për mbrojtjen e dëshmitarëve

Faton Shala, ish-drejtori i Sektorit të Hetimeve në Drejtorinë Rajonale në Prishtinë më saktësisht të Stacionit Policor Qendra është sistemuar në një pozitë tjetër, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Kosovës.

Kapiteni Shala, nga dita e djeshme është emëruar si Drejtor i Drejtorisë për Mbrojtjen e Dëshmitarëve.

KALLXO.com ka siguruar edhe vendimin e emërimit të pozitës së re të Shalës, ndërsa për këtë ndryshim i njëjti edhe është kontaktuar por nuk ka pranuar të jap ndonjë koment në lidhje me pozitën e re.

“Ju lutem për çdo gjë drejtohuni në zyrën për informim”, ishte komunikimi i Shalës me KALLXO.com përmes telefonit.

KALLXO.com në anën tjetër ka raportuar edhe për ndryshimet e tjera që kanë ndodhur në Policinë e Kosovës.

Gjatë kësaj jave KALLXO.com raportoi se ish-shefi i Antidrogës në veri të Kosovës, Ilir Xhemajli është dërguar në vijën e gjelbër në Isvorin, pikë kufitare që lidh Zubin Potokun me Novi Pazar.

Edhe drejtori i Drejtorisë së Antidrogës në Policinë e Kosovës, Bahri Shala është liruar nga detyra ditë më parë dhe është dërguar në Drejtorinë Teknike të Kriminalistikës.