Të shtënat me armë në Prishtinë, kryeprokurori Gashi: Të dyshuarit janë identifikuar

Një rast me të shtëna me armë zjarri ka ndodhur sonte rreth orës 21:30 në lagjen “Bregu i Diellit” në Prishtinë.

Lidhur më këtë ngjarje, kryeprokurori i Prokurorisë së Prishtinës, Zejnullah Gashi, ka thënë se dy persona dyshohet se kanë shtënë më armë në drejtim të njëri-tjetrit.

Sipas Gashit, të shtënat kanë ardhur për shkak të një mosmarrëveshjeje që të dyshuarit kanë pasur një ditë më parë.

Si pasojë e të shtënave, ai tregoi se një kalimtare e rastit ka pësuar një gërvishtje.

Gashi tha se të dyshuarit janë identifikuar dhe janë të njohur për Policinë e Kosovës. Ai shtoi se të njëjtit janë recidivistë.

Kryeprokurori gjithashtu njoftoi se një bastisje është kryer në banesën e njërit prej të dyshuarve, në të cilën, sipas tij, janë gjetur edhe substanca narkotike.

I pari i Prokurorisë në Prishtinë tregoi se për ngjarjen kanë siguruar edhe pamje nga kamerat e sigurisë.

Të shtënat me armë zjarri në lagjen “Bregu i Diellit”, Policia jep detaje