Të paktën 11,240 palestinezë të vrarë në Gaza, përfshirë 4,630 fëmijë dhe 3,130 gra

Ushtria izraelite ka arritur në portat e spitalit më të madh të Gazës, pasi qindra pacientë, përfshirë dhjetëra foshnja, kanë mbetur të bllokuar brenda.

Mijëra njerëz janë larguar nga spitali al-Shifa në qytetin e Gazës, mirëpo zyrtarët shëndetësorë thonë se pacientët e mbetur po vdesin për shkak të mungesës së energjisë. Të paktën 32 pacientë, përfshirë tri foshnja me lindje të parakohshme, kanë vdekur në tri ditët e fundit, sipas një njoftimi nga ministria e shëndetësisë e Gazës, e drejtuar nga Hamasi.

Të paktën 11,240 palestinezë janë vrarë, duke përfshirë 4,630 fëmijë dhe 3,130 gra në Gaza që nga 7 tetori, sipas ministrisë së shëndetësisë në Gaza. Rreth 1200 izraelitë kanë vdekur në konflikt, shumica në 7 tetor.

Joe Biden ka thënë se al-Shifa “duhet të mbrohet” dhe bëri thirrje për “veprim më pak ndërhyrës” nga forcat izraelite.

“Është shpresa dhe pritshmëria ime që do të ketë më pak veprime ndërhyrëse” – ka deklaruar presidenti amerikan të hënën.

Të gjithë spitalet në Gazën veriore janë “jashtë shërbimit” mes mungesës së karburantit dhe luftimeve intensive, ka thënë të hënën ministria e shëndetësisë në territorin e rrethuar.

Dy spitale të mëdha në Gazën veriore – al-Shifa dhe al-Quds – janë mbyllur për pacientët e rinj për shkak të sulmeve ajrore izraelite dhe luftimeve të ashpra rreth të dy objekteve pasi personeli mjekësor ka mbetur pa oksigjen, pa furnizime mjekësore dhe pa karburant për inkubatorët e energjisë.

Drejtori i agjencisë së OKB-së për refugjatët palestinezë, UNRWA ka paralajmëruar se operacionet e ndihmës së grupit në Gaza do të mbyllen në 48 orët e ardhshme nëse nuk lejohet karburanti në territorin e rrethuar.

Komisioneri i përgjithshëm i UNRWA, Philippe Lazzarini ka deklaruar se depoja e karburantit të agjencisë në Gaza ka mbetur bosh dhe nuk do të jetë më në gjendje t’i rifurnizojë spitalet, t’i largojë ujërat e zeza dhe të sigurojë ujë të pijshëm.

Izraeli pretendon se ka zbuluar një qendër operacionale të Hamasit nën spitalin e fëmijëve Rantisi në qytetin e Gazës dhe prova që sugjerojnë se pengjet e marra më 7 tetor mbaheshin atje.

Ndaras nga kjo, CNN raportoi se “një zyrtar amerikan me njohuri për inteligjencën amerikane” ka thënë se Hamasi ka “një nyje komandimi” nën spitalin al-Shifa në qytetin e Gazës.

Të paktën tre palestinezë janë vrarë dhe 20 të tjerë janë plagosur pasi një sulm ajror izraelit goditi Bani Suheila, një qytet në lindje të Khan Younis në Rripin e Gazës, thanë zyrtarët shëndetësorë të hënën.

Krahu i armatosur i Hamasit thotë se ka diskutuar me ndërmjetësit e Katarit lirimin e deri në 70 grave dhe fëmijëve pengje në Gaza në këmbim të një armëpushimi pesë-ditor izraelit. Izraeli ka hedhur poshtë çdo mundësi për një armëpushim deri në lirimin e të 240 pengjeve.

Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, ka paraqitur propozime se si duhet të udhëhiqet Gaza pas luftës midis Izraelit dhe Hamasit. Ministrat e jashtëm të BE po shikojnë gjithashtu një propozim qipriot për ta hapur një korridor detar për ndihmë urgjente humanitare për Gazën./The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala