Te hënën Kuvendi me seancë për vaksinat anti COVID-19

Abelard Tahiri shef i grupit parlamentar të PDK-së tha se kryesia vendosi që të hënën të ketë seancë parlamentare dhe të vendoset kërkesa PDK-së për debat parlamentar për sigurimin e vaksinave si pikë e parë e rendit të ditës.

“Kjo është çështje është urgjente kemi shpreh pakënaqësi dhe mllef që jemi ndër vendet e fundit që nuk e shohim një dritë të gjelbër në fund të tunelit për sigurimin e vaksinave. Qëndrojmë të fundit të Evropë. I bëjë thirrje Kurtit e Vitisë që të hënën të jenë në seancë dhe të japin sqarime”, ka thënë Tahiri.

Për dy kërkesat tjera për çështjen e arsimit dhe ekonomisë do të vendos sërish kryesia.

Tahiri ka folur edhe për dialogun. Ai ka thënë se Republika e Kosovës tashmë është në rrugë të drejtë dhe nuk duhet të bëjë kompromise për ta cenuar funksionalizimin e saj.

“Nuk besojmë se ShBA-ja t`i kërkojë Kosovës të bëjnë kompromise”, ka thënë Tahiri.

Edhe Besnik Tahiri nga AAK, pas kryesisë së kuvendit ka folur për dialogun me Serbinë. Ai tha se kërkesa e tyre është që qeveria të merret me çështjen e pandemisë dhe sigurimin e vaksinave.

“Dialogun duhet ta merr përsipër qeveria dhe sa u përket kompromiseve nuk kemi çka bëjmë kompromise tjera përveç njohjes mes dy vendeve”, ka thënë Besnik Tahiri.

Po ashtu edhe anëtarja e Lëvizjes Vetëvendosje Mimoza Kusari- Lila ka njoftuar se të hënën në ora 10:00 do të ketë seancë të Kuvendit të Kosovës.

Sa i përket letrës së Biden drejtuar Osmanit, Kusari- Lila tha se së shpejti qeveria pritet të prezantoj qëndrimin e saj  në raport me dialogun.

“Ne si Kuvend duhet të arrijmë konsensus me opozitën. Shpresoj që kjo qeveri të fillojë me ngritje të debatit e konsensusit dhe të dalin me qëndrime të përbashkëta pozitë e opozitë.  Për të evituar pasojat e dialogut në të ardhmen duhet unifikim”, ka thënë Kusari-Lila.