Foto: Komuna e Malishevës

Të gjitha shkollat e Malishevës do të pajisen me kabinete

Të gjitha shkollat e komunës së Malishevës janë duke u pajisur me kabinete për lëndët mësimore në shkollat e ciklit fillor dhe të mesëm të ulët dhe të mesëm të lartë.

Sipas një njoftimi për media, Drejtoria për Arsim dhe Edukim tha se është në përfundim e sipër të furnizimit dhe tashmë pothuajse të gjitha shkollat i kanë kabinetet e tyre për mbajtjen e mësimit edhe në mënyrë praktike.

Për këtë qëllim, nënkryetari i Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha dhe drejtori i Drejtorisë për Arsim dhe Edukim, Blerim Thaçi, së bashku me zyrtarët e tjerë të drejtorisë, i kanë vizituar sot shkollat në Pagarushë dhe Lubizhdë, ku janë njoftuar nga afër me furnizimet për kabinete në këto shkolla.

Nënkryetari Berisha i ka përgëzuar të gjitha shkollat, të cilat tashmë janë pajisur me kabinete. “Arsimi është prioriteti kryesor i qeverisë Begaj, dhe jemi munduar me të gjitha format që të krijojmë kushte sa më të mira në shkolla, si me objekte shkollore, kabinete, salla dhe fusha sportive, me qëllimin e vetëm, për krijimin e kushteve sa më të mira dhe rritjen e cilësisë në arsim”, citohet të ketë thënë ai.

Drejtori i Drejtorisë për Arsim dhe Edukim, Blerim Thaçi, ka bërë të ditur se “të gjitha shkollat janë duke u pajisur me kabinete, e po ashtu janë bërë renovime dhe janë duke u ndërtuar edhe fusha e salla sportive”.

“Projekti për furnizim me kabinete për shkollat e Komunës së Malishevës, ka kushtuar rreth 80 mijë euro dhe të gjitha shkollat janë furnizuar apo janë në proces të përfundimit të furnizimit dhe të gjitha do ti keni kabinetet për zhvillimin e procesit mësimor në të gjitha lëndët”, ka thënë drejtori Thaçi.