Të enjten Kuvendi diskuton për vendosjen e çmimeve tavan për produktet esenciale

Të enjten me 20 tetor, Kuvendi i Kosovës në rend dite do të diskutojë Projektligjin për vendosjen e çmimeve tavan për produktet esenciale.

Kështu ka bërë të ditur shefja e grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari – Lila e cila tha se me 20 tetor gjithashtu në rend dite vazhdojnë edhe pikat e pa përfunduara nga seancat e kaluara.

“Me datë 20 seanca e re me dy pika në rend dite. Njëra ndër to Projekligji për vendosjen e çmimeve tavan për produktet esenciale. E enjta e 20 tetorit vazhdon me pikat e pa përfunduara nga seancat e kaluara. Seancë e re do të mbahet me 27 tetor dhe do të shqyrtoj Projekligjin për faljen e masave ndëshkimore” – ka thënë ndër të tjera Kusari  – Lila.

Ndërsa shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se janë dy projektligje të rëndësishme që do të diskutohen në Kuvend.

“E para projektligji për punët publike, i cili është shumë i rëndësishëm, i cili e trajton çështjen e inflacionit dhe të kontratave të punëve, që nuk por realizohen për shkak të rritjes së çmimeve” – tha Tahiri.

“Sikur të kishim një qeveri efikase, për realizimin e punëve në vitin 2022, është projekt buxhet që vet e ka bërë kjo Qeveri dhe as 25% e totalit të buxhetit nuk është shpenzu. Këtë gjendje e ka shkaktu mos efikasiteti i Qeverisë”.

Kurse në lidhje me projektigjin për përcaktimin e çmimit tavan për produktet esenciale, Tahiri tha se mënyra se si është parashikuar projektligji, është në kundërshtim me Kushtetutën.

“Po flasim për një ligj që i mundëson qeverisë të ndërhyjë në treg në përcaktimin e çmimeve të disa produkteve. Nuyk është bë një analizë sic duhet, bjen ndesh me Kushtetutën, ekonomia e tregut është një vlerë që e parasheh Kushtetuta. Mënyra siç është parashiku projektligji është në kundërshtim me tre nene të Kushtetutës” – ka thënë Tahiri.