Foto: Talat Xhaferi, Facebook

Talat Xhaferi drejton mbledhjen e parë të Qeverisë si kryeministër i Maqedonisë së Veriut

Kryeministri i ri i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, ka drejtuar sot mbledhjen e parë të Qeverisë së re.

Xhaferi thotë se pret që të gjithë anëtarët e kësaj Qeverie të punojnë në interes të qytetarëve.

“Pres që të gjithë anëtarët e Qeverisë të investojnë gjithë diturinë dhe përvojën e vetë dhe do të punojnë me përkushtim në interes të qytetarëve dhe se të gjitha sfidat para nesh do i kalojmë së bashku, në mënyrë transparente dhe profesionale” – ka shkruar ai në Facebook.

Qeveria teknike e Maqedonisë së Veriut. Foto: Talat Xhaferi, Facebook

Talat Xhaferi ka marrë zyrtarisht detyrën e kryeministrit dje.

Qeveria teknike do të funksionojë për 100 ditë dhe do të ketë mandat organizimin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve parlamentare, që pritet të mbahen më 8 maj.

Dimitar Kovaçevski, më 25 janar ka paraqitur në Kuvend dorëheqjen e tij dhe të kabinetit qeveritar, me të cilin ka udhëhequr nga 11 janari i vitit 2022.

Xhaferi, i cili më parë ka shërbyer si ministër i Mbrojtjes dhe kryetar i Parlamentit të Maqedonisë së Veriut, ka thyer edhe një tabu, duke u bërë kryeministri i parë shqiptar i këtij vendi.