Takohen kryetarët e gjykatave dhe gjyqtarët mbikëqyrës

Takohen kryetarët e gjykatave dhe gjyqtarët mbikëqyrës

Asambleja e Kryetarëve të Gjykatave dhe Gjyqtarëve Mbikëqyrës nën udhëheqjen e Kryesuesit të Asamblesë, njëherit Kryetarit të Gjykatës Supreme, Fejzullah Rexhepi, janë takuar të enjten.

Anëtarët e Asamblesë diskutuan lidhur me inspektimin e përgjithshëm të punës së administratës dhe për gjetjet në Rregulloren për Organizimin dhe Veprimtarinë e Brendshme të Gjykatave, me ç’rast rekomanduan Këshillin Gjyqësor të Kosovës, të hartojë një plan të veprimit për inspektimin e përgjithshëm të mënyrës së funksionimit të administratës gjyqësore dhe identifikimin e problematikave

Asambleja rekomandoi që të bëhet një planifikim i trajnimeve në mes të KGJK-së, përkatësisht Komisionit për Trajnime, Akademisë së Drejtësisë dhe gjykatave, për gjyqtarët dhe përfshirjen e trajnimeve për administratën gjyqësore si dhe të ndryshohet Rregullorja për Trajnimin e Gjyqtarëve dhe Administratës Gjyqësore që kërkojnë adresim nga KGJK apo gjykatat.

Anëtarët po ashtu diskutuan lidhur me çështjen e zbatimit të plotësim/ndryshimit të Ligjit për Procedurën Përmbarimore, me ç’rast u dakorduan që në çështjet të cilat janë në procedim në gjykata lidhur me kompensimin e të ardhurave me përmbarimin e vendimeve për kompensimin e të ardhurave, të vazhdohet të trajtohen nga gjykatat.

Ndërsa, në rastet kur ka kërkesë nga kreditorët (ata që presin të ju kthehen borxhet/përmbushen kërkesat), që çështja të kalojë te përmbaruesi privat, nëse nuk është lejuar përmbarimi, çështjet të kalojnë te përmbaruesi privat, sipas kërkesës së kreditorit.

Gjatë takimit, u diskutua edhe çështja e rëndësisë dhe dhënies së prioritetit të lëndëve penale për rastet me precedent penal dhe i është rekomanduar KGJK-së që të përfshihen çështje me prioritet sipas Planit Strategjik për Përmirësimin e Qasjes në Drejtësi 2022-2025, me qëllim të rritjes së efikasitetit dhe nivelit të besimit të qytetarëve në sistemin e drejtësisë.

Anëtarët e Asamblesë kanë miratuar planet e veprimit për Drejtësi Procedurale, për degët e Gjykatës Themelore në Prishtinë: dega në Lipjan, Graçanicë, Gllogoc dhe Podujevë, të mbështetura nga Projekti i USAID-it për Drejtësi, me qëllim që të vazhdohet edhe më tutje me implementimin e aktiviteteve të parapara me këto plane.