Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Tahiri: Seanca e Këshillit të Sigurimit, kurth i Serbisë për të prezantuar Kosovën me UNMIK-un

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri në seancën e Kuvendit ka folur për seancën e jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara që do të mbahet sonte, në të cilën pritet të diskutohet për çështjen e dinarit.

Tahiri tha se Serbia me anë të kësaj seance ka për qëllim që të degradojë shtetin dhe pavarësinë e Kosovës pasi sipas tij, në radhë të parë flet UNMIK-u e më pas përfaqësuesit e institucioneve.

“E vetmja seancë dhe kënaqësi e Serbisë është të ftojë mbledhjene e Këshillit të Sigurimit për Kosovën sepse aty në radhë të parë flet UNMIK-u, pra ata gjithmonë kanë qejf me na pa aty ku flet UNMIK-u për Kosovën dhe më pas flasin përfaqësuesit e institucioneve të Kosovë. Gjithmonë me synimin të degradojnë shtetin dhe pavarësinë e Kosovës, synojnë të kenë UNMIK-un të parin, dhe ne në të kaluarën me partnerët tanë jemi dakorduar që mundësisht të mos shkojnë as ministri i jashtëm, as kryeministri, as presidenti, as ministrja të përfaqësojnë Kosovën por ambasadori sepse është nivel më i lartë”- tha Tahiri.

Deputeti i PDK-së u shpreh se seanca në OKB është “grackë e Serbisë që në vazhdimësi me prezantu Kosovën bashkë me UNMIK-un”.

“Kjo është një kurth, një grackë e Serbisë që në vazhdimësi me prezantu Kosovën bashkë me UNMIKUN. Pra kjo është kënaqësia më e madhe e Serbisë, me mujtë me degradu subjektivitetin tonë ndërkombëtarë e që fatkeqësisht ju bini në grackën e tyre”- ka deklaruar Tahiri.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, kanë udhëtuar mbrëmë për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për marrë pjesë në seancën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, që do të mbahet sonte në orën 21:00 sipas orës lokale të Kosovës.

Kjo vizitë po ndodhë disa ditë pasi ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeff Hovenier, kishte deklaruar se SHBA e kundërshtojnë zbatimin e rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës, e cila parasheh që valuta e vetme e lejuar për kryerjen e pagesave në Kosovë të jetë Euro.

Ai ishte shqetësuar se Kosova mund të përballet me tensione të reja në veri.

Kurti me Gërvallën udhëtuan për në ShBA