Tahiri (PDK): Thaçi, Veseli, Krasniqi, Selimi e të tjerët po luftojnë betejën e radhës për Kosovën

“Hashim Thaçi me shokët e tij bashkëluftëtarë: Kadri Veselin, Jakup Krasniqin, Rexhep Selimin e shumë të tjerë janë në betejën e radhës për Kosovën”.

Kështu u shpreh përfaqësuesi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri gjatë fjalës së tij në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës, të mbajtur më 17.02.2024.

Ai tha se 17 shkurti 2008 është dita kur u realizua ëndrra e kahmotshme e popullit të Kosovës.

“Në 17 shkurtin e papërsëritshëm të vitit 2008, presidenti Hashim Thaçi, asokohe kryeministër i Kosovës, në emër të popullit të Kosovës prezantoi Deklaratën e Pavarësisë, nëpërmjet së cilës shpallën Kosovën shtet të pavarur, sovran e demokratik” – tha Tahiri.

Ai përkujtoj se në fjalimin e tij ish-presidenti Thaçi e kishte përshkruar 17 shkurtin ashtu siç ishte në të vërtetë- sublimim të përpjekjeve shekullore të popullit të Kosovës për liri.

“Ai që lexonte këto fjalë, sot nuk e gëzon lirinë e Kosovës, por vepra e tij jeton. Thaçi e shokët e tij bashkëluftëtar: Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi e shumë të tjerë janë në betejën e radhës për Kosovën duke luftuar për liri e për të pastruar emrin lavdimadh të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që nuk e ndotën asnjëherë propagandat që vijnë edhe nga jashtë, ashtu edhe nga brenda Kosovës” – tha deputeti nga radhët e PDK-së.

Tahiri tha se kanë besuar gjithmonë që Kosova e pavarur do të rrugëtoj drejt së ardhmes euroatlantike vetëm me miq e dashamir.

“Njësoj e kemi pasur të qartë se kur miqtë tanë na thonin se do të shpallet pavarësia, kur presidenti amerikan George Bush tha nga Tirana se u bë mjaftë, ne besuam se përnjëmend u bë mjaftë dhe ishte koha për pavarësinë e Kosovës. Shumëkush, jo vetëm nga armiqtë tanë, por edhe nga brenda Kosovës, fatkeqësisht nuk besuan se po shpallej Pavarësia” – theksoi Tahiri.

Ai shtoi se në këtë 17 shkurt e themi se populli i Kosovës nuk meriton një qeverisje që e fut Kosovën në sanksione nga miqtë tanë perëndimorë.

Republika e Kosovës sot, 17.02.2024, shënon 16 vjetorin e shpalljes së pavarësisë.

Për nderë të kësaj dite, institucionet qendrore dhe lokale kanë paraparë një varg aktivitetesh.

Shpallja e Pavarësisë së Kosovës është bërë më 17.02.2008 në ora 15:39 në Kuvendin e Republikës së Kosovës në Prishtinë.

Në një mbledhje të jashtëzakonshme ku merrnin pjesë 109 nga gjithsej 120 deputetë, Kuvendi i Kosovës njëzëri shpalli Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik.

Deklarata e Pavarësisë ishte lexuar nga Hashim Thaçi, i cili në atë kohë ishte kryeministër i Kosovës.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, i ka dërguar shefes së shtetit kosovar, Vjosa Osmani, një telegram urimi me rastin e 16-vjetorit të pavarësisë.

Në këtë letër, Biden ka shkruar se SHBA vazhdon ta përkrahë dialogun e ndërmjetësuar nga BE për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimit me Serbinë – të cilën e quan, “një hap të rëndësishëm drejt njohjes së ndërsjellë”.

Presidenti i Shteteve e Bashkuara ka inkurajuar lidershipin e Kosovës që të përmbushë të gjitha obligimet e saj, përfshirë të gjitha marrëveshjet e kaluara të arritura përmes këtij procesi.

“Në vitin e ardhshëm, mezi pres të vazhdojmë të punojmë së bashku për ndërtimin e rritjes ekonomike gjithëpërfshirëse, forcimin e institucioneve demokratike dhe avancimin e shtetit të së drejtës. Unë gjithashtu pres me padurim bashkëpunimin tonë të vazhdueshëm për sigurinë dhe përpjekjet e përbashkëta për të avancuar reformat e nevojshme për të arritur përfundimisht objektivin e Kosovës, integrimin në BE. Dhe së bashku, ne do të vazhdojmë të ngrihemi për lirinë – duke përfshirë qëndrimin së bashku me Ukrainën përballë agresionit brutal të Rusisë”- thuhet në letrën e plotë të Joe Biden të cilën Presidenca kosovare e ka ndarë me mediat më 16.02.2024.