Tahiri (AAK): Partneritetin me SHBA dhe BE duhet ta ruajmë – nuk është dëshirë, por obligim

Kryetari i Grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri gjatë adresimit të tij në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës, për nder të 16-vjetorit të Pavarësisë së vendit, tha se partneritetin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me Bashkimin Evropian duhet ta ruajmë.

“Me vendosshmëri duhet ta ruajmë partneritetin që e kemi ndërtuar me SHBA-në e me vendet e BE-së, kjo nuk është dëshirë, është obligim që kemi marr nga brezat që dhanë gjithçka për liri” – tha ai.

Tahiri tha se në këtë ditë duhet të nderohen dhe lartësohen veprat dhe të gjitha përpjekjet shekullore të popullit për liri.

“Pavarësia është akti që na bashkoi të gjithëve- të gjithë ishim një për këtë ëndërr. Njerëzit e këtij vendi u ngritën me solidaritet për mbijetesë. Lufta për liri kulmoi me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës” – u shpreh Tahiri.

Me këtë rast, ai i uroi edhe ish-liderët politik që gjenden në Hagë.

“Nuk mundem me ik prej kësaj foltore pa i uruar edhe prijësit tanë të luftës, ish-liderët politikë e institucional që sot nuk janë me ne, janë në Hagë e po na dëgjojnë të mallëngjyer, e t’ju them që nuk ju kemi harruar, t’ju themi se besojmë në luftën tonë të pastërt, se besojmë në drejtësinë ndërkombëtare dhe jemi të bindur se shpejt do të bashkohemi dhe të festojmë së bashku” – tha deputeti nga radhët e AAK-së.

Republika e Kosovës, më 17.02.2024, shënon 16 vjetorin e shpalljes së pavarësisë.

Për nder të kësaj dite, institucionet qendrore dhe lokale kanë paraparë një varg aktivitetesh.

Shpallja e Pavarësisë së Kosovës është bërë më 17.02.2008 në ora 15:39 në Kuvendin e Republikës së Kosovës në Prishtinë.

Në një mbledhje të jashtëzakonshme ku merrnin pjesë 109 nga gjithsej 120 deputetë, Kuvendi i Kosovës njëzëri shpalli Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik.

Deklarata e Pavarësisë ishte lexuar nga Hashim Thaçi, i cili në atë kohë ishte kryeministër i Kosovës.