Konferenca për media e kryeminsitrit Albin Kurti dhe ministrit të Brendshëm Xhelal Sveçla për situatën në veri, 7 nëntor 2022, Foto: KALLXO.com

Sveçla tregon pse nuk po e emëron drejtorin e Policisë së Kosovës

Deputetja nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu ka pyetur ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, se kur do të emëroj drejtorin e Policisë së Kosovës.

Ministri Sveçla ka thënë se faza e dorëzimit të aplikacionit është përmbyllur dhe tani janë në proces të krijimit të komisionit që do të vijojë me fazat tjera.

“Unë tashmë besoj që e dini që faza e dorëzimit të aplikacionit është përmbyllë, tani jemi në proces të krijimit të komisionit që do të vijojë me fazat tjera të procesit. Sapo të themelohet komisioni do të vazhdojnë me procedura tjera deri në finalizim”- ka thënë Sveçla.

“Jam i bindur që komisioni me profesionalizëm dhe në bashkëpunim me monitor vendor e ndërkombëtar kanë me ia dalë me sukses këtij procesi jashtëzakonisht të rëndësishëm”- shtoi ai.

Ish-drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti kishte ofruar dorëheqjen e tij në gusht të këtij viti.

Këtë e ka konfirmuar me anë të një postimi në Facebook, Ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla.

“Sot gjatë ditës kam pranuar kërkesën për dorëheqje nga z. Samedin Mehmeti drejtor i Policisë së Kosovës”, ka thënë Sveçla.

Sipas këtij të fundit, dorëheqja e Mehmetit, erdhi për arsye personale dhe ndërgjegje profesionale, pas rastit të fundit të dhunimit të 11-vjeçares në Prishtinë, para tri ditësh.

“Tashmë kryeministri Kurti ka liruar nga detyra z. Mehmeti dhe ka caktuar si ushtrues detyre të drejtorit të përgjithshëm z. Fehmi Hoti, zëvendësdrejtor i Policisë së Kosovës”, thuhet tutje në njoftimin e Sveçlës.

Më pas, Fehmi Hoti është zgjedhur ushtrues i detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës.