Sveçla për serbin e arrestuar: Dyshohet se ka ushtruar dhunë çnjerëzore ndaj të burgosurve shqiptarë

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka reaguar pas arrestimit të një serbi të dyshuar për krime lufte në Kosovë mes viteve 1998-99.

Sipas tij, i dyshuari që u arrestua sot, në cilësinë e gardianit të burgut në Prishtinë dhe në burgun e Lipjanit, dyshohet se gjatë asaj periudhe, në mënyrë sistematike ka ushtruar torturë e dhunë çnjerëzore ndaj të burgosurve shqiptarë.

“Ndaj personit të arrestuar sot në Graçanicë, ka patur një punë të gjatë hetimore, nga e cila janë mbledhur prova të mjaftueshme për ekzistimin e dyshimit për pjesëmarrje në krimet gjatë kohës së luftës”- ka shkruar Sveçla.

Ai tutje tha se gjatë kontrolleve të zhvilluara dhe bastisjes në banesën e të dyshuarit ditën e sotme, janë gjetur dhe konfiskuar armë ilegale në posedim të personit.

Sveçla deklaroi se pjesëmarrësit në krimet makabre gjatë luftës në Kosovë duhet të mbahen përgjegjës.

“Sado që vitet kalojnë, keqtrajtimet dhe torturat e atyre viteve nuk mund të kalojnë pa u ndëshkuar”- shtoi Sveçla.

D. M., me nacionalitet serb është arrestuar gjatë ditës së sotme nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës me vendim të Prokurorisë Speciale të Kosovës, nën dyshimet për krime lufte në Kosovë mes viteve 1998-99.

Arrestimi i të dyshuarit është bërë sot në orët e paraditës në Graçanicë.

Zyrtarët kompetentë nën autoritetin e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe urdhrit të gjyqtarit të procedurës paraprake-Departamenti Special, kanë zbatuar kontroll në shtëpinë e të dyshuarit, ku në cilësi të provave materiale janë sekuestruar një armë zjarri, 136 fishekë, një thikë ushtarake, një shumë metalike, dokumente, vendime, shënime dhe një telefon personal dhe gjëra të tjera të cilat do të përdoren gjatë trajtimit të rastit.

Mbi 13,000 civilë janë vrarë në luftën e fundit në Kosovë.

Të pagjetur, edhe sot e kësaj dite, mbeten mbi 1.600 persona – shumica prej të cilëve shqiptarë.

Arrestohet një serb i dyshuar për krime lufte në Kosovë, policia konfiskon armë e fishekë në shtëpinë e tij