Sveçla për aksionin në Banjskë: Kemi parandaluar një përshkallëzim ekstrem të situatës

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla ka thënë se me aksionin e Policisë në Banjskë kanë parandaluar një përshkallëzim ekstrem të situatës.

“Lirisht mund të themi se kemi parandaluar një përshkallëzim ekstrem të situatës. Ka pas jo vetëm shumë armë por edhe mbështetje logjistike për aktivitet afatgjatë terrorist në Kosovë”- tha ai.

Sveçla ka falënderuar për bashkëpunim KFOR-in, EULEX-in dhe Agjencinë e Inteligjencës.

“Dua të falënderoj të gjithë qytetarët tanë të të gjitha etnive për bashkëpunimin me Policinë e Kosovës për bashkëpunimin me Policinë e Kosovës. Falënderoj AKI-në, KFOR-in dhe EULEX-in për koordinimin për ditën e djeshme dhe të sotshme”- tha ai.

Në këtë konferencë të jashtëzakonshme për media Sveçla ka kërkuar nga Serbia dorëzimin e gjashtë pjesëtarëve të grupit të armatosur të cilët po trajtohen në Novi Pazar.

Pjesëtari i Policisë së Kosovës Afrim Bunjaku u vra, një u plagos dhe një tjetër u lëndua, pas një sulmi nga persona të armatosur në Banjskë të Zveçanit, rreth orës 3 të mëngjesit të së dielës.

Organet e rendit zyrtarisht kanë konfirmuar se tre sulmues janë vrarë dhe gjashtë të tjerë janë arrestuar, dy prej tyre të uniformuar dhe katër të tjerë që ndihmonin në operacion përmes radiolidhjeve.

Prova të reja, pajisje e materiale janë gjetur e konfiskuar në orët e fundit nga vendi i ngjarjes në të cilin për orë të tëra gjatë ditës së djeshme pati  shkëmbime me armë zjarri mes një grupi terrorist dhe Policisë se Kosovës.

Kriza në Banjskë – Nisin kontrollet në male

Sveçla: Përveç armëve e autoblindave kemi gjetur plane dhe harta të grupit terrorist

Sveçla: Kërkojmë nga Serbia t’i dorëzojë terroristët që po trajtohen në Novi Pazar