Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla në konferencë për media - 15 prill 2022, Foto: KALLXO.com

Sveçla: Paraburgimi për tre policët, e paprecedentë dhe e papranueshme

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar pasi tre zyrtarët policorë të kidnapuar i’u është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh.

“Kjo është e paprecedentë dhe e papranueshme”- thotë Sveçla.

Sveçla përmendi edhe sulmet ndaj mediave dhe veturës së ministrit Elbert Krasniqi i cili ndodhej në vizitë në Leposaviq.

“Fakti që Serbia agresore nuk do të ndalet me orkestrime të akteve të tilla, e dëshmojnë sulmet e njëpasnjëshme që kanë ndodhur sot gjatë ditës në veriun e vendit tonë. Në mëngjesin e sotëm bandat kanë sulmuar me shok-bomba stacionet policore në Zveçan dhe Mitrovicë të Veriut, është sulmuar një veturë e Policisë së Kosovës, është sulmuar vetura e Ministrit Elbert Krasniqi që ndodhej në vizitë tek Kryetari Lulzim Hetemi, turma e bandave ka kaluar me lehtësi kordonin e sigurisë dhe ka ndërsyrë objektin e Komunës si dhe janë sulmuar e rrahur brutalisht gazetarë e kameramanë të mediave tona” – ka thënë ministri.

Sipas ministrit, personat që kanë kryer sulmet janë të njohur për autoritetet dhe për publikun, por sipas tij, mungesa e reagimit ndaj këtyre akteve kriminale që cënojnë sigurinë “u jep krahë këtyre bandave që udhëzimet e urdhërat i marin nga Beogradi”.

“Të gjitha këto në më pak se 10 orë, të gjitha këto nga persona të njejtë që pranojnë urdhëra të tillë kriminal nga persona të njohur për autoritetet tona e për publikun. Mungesa e reagimit ndaj këtyre akteve kriminale që cënojnë sigurinë e institucioneve tona, qytetarëve tanë e mediave tona, u jep krahë këtyre bandave që udhëzimet e urdhërat i marin nga Beogradi”

“Përkundër të gjitha sulmeve, Policia jonë nuk do të ndalet. Ajo do të vazhdojë angazhimin e saj në çdo cep të Republikës së Kosovës, për të gjithë qytetarët pa dallim e kundër të gjitha bandave e kriminelëve pa dallim”- ka shkruar ministri Sveçla.

Tre policëve të Kosovës, të arrestuar nga forcat serbe më 14 qershor, iu shqiptua masa e paraburgimit.

Qeveria e Kosovës pretendon se policët janë “rrëmbyer”, pasi, sipas saj, ata janë arrestuar në territorin e Kosovës.

Ndërkohë sot në Leposaviq janë sulmuar ekipet e mediave ku po raportonin për vizitën e ministrit Elbert Krasniqi te kryetari Lulzim Hetemi.