Momenti kur gazetarët sulmohen fizikisht nga persona të maskuar në Leposaviq, 16.06.2023

Sulmohen gazetarët në Leposaviq - Pamje

18:31 – Personat e maskuar ia thyejnë krahun gazetarit Pleurat Salihu

Gazetari Pleurat Salihu ka pësuar lëndime të rënda nga sulmi i personave të maskuar sot në Leposaviq.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka njoftuar se gazetarit Pleurat Salihu iu është thyer krahu.

“Gjatë raportimeve të ekipeve të mediave, në komunën veriore të Leposaviqit, në vendin ku u sulmua grupi me gazetarë e kameramanë, gazetarit të Arbresh.info, Pleurat Salihut ia kanë thyer krahun.  Sipas informatave nga kolegë prezent, Salihu ,ka pranuar ndihmën e parë mjekësore, posa kanë arritur të largohen nga zona e rrezikut” – thuhet në njoftimin e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës.

18:23 – Nëntë gazetarë janë sulmuar në Leposaviq, disa kanë pësuar edhe lëndime

Policia e Kosovës ka njoftuar se nëntë gazetarë në Leposaviq janë sulmuar dhe se disa prej tyre përveç shqetësimeve kanë pësuar edhe lëndime të ndryshme trupore, si dhe kanë pranuar tretman mjekësor.

Sipas Policisë, ekipeve të mediave iu janë dëmtuar pajisje të ndryshme të xhirimeve, ku njërit prej tyre iu është grabitur kamera zyrtare e mediumit, përderisa tjetrit, thuhet se iu është grabitur një telefon celular.

“Sot me datën 16 qershor 2023, pranë komunës së Leposaviqit nga persona të dyshuar është sulmuar me mjete të ndryshme (ngjyrë), automjeti zyrtar i cili ishte në shoqërim të ministrit të Ministrisë për Administrim të Pushtetit Lokal të RKS-së, i cili ishte në dalje nga komuna e Leposaviqit pasi i njëjti ka qenë me detyrë zyrtare në komunë”- ka thënë Policia.

Forcat e rendit kanë bërë të ditur se gjatë këtyre sulmeve, dyshohet se është hedhur edhe shok-bombë.

Policia ka njoftuar se në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, janë iniciuar rastet sulm ndaj personave zyrtar, asgjësim apo dëmtim i pronës dhe lëndim trupor.

18:14 – Kurti: Të zëshmit për situatën t’i dënojnë sulmet ndaj gazetarëve

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas sulmeve ndaj ekipeve të mediave në Leposaviq.

Kurti ka thënë se palët që në anën e kundërt janë të zëshme për situatën në veri duhet të reagojnë dhe të dënojnë sulmet ndaj gazetarëve.

Ai ka bashkangjitur videon teksa kameramani i Radio Televizionit të Kosovës sulmohet në Leposaviq nga persona të maskuar.

16:47 – Ekipi i RTK-së thotë se janë mirë pas sulmit në Leposaviq

Ekipi i Radio Televizionit të Kosovës (RTK) i cili ishte sulmuar sot në Leposaviq, thonë se janë mirë.

Këtë e ka bërë të ditur gazetarja e RTK-së, Venera Xhoxhaj, përmes një postimi në Facebook, nga ku ka bashkangjitur edhe një fotografi të tyre.

“Unë, Bardhi e Mentori jemi mirë. Uroj që sulme të tilla të mos ndodhin asnjëherë!” – ka shkruar ajo.

Radiotelevizioni i Kosovës (RTK) sot publikoi pamjet teksa sulmohet ekipi i tyre, kameramani goditet nga një person dhe më pas rrëzohet në tokë.

16:30 – Qendra Evropiane për Lirinë e Medias i kërkon Kurtit që t’i sigurojë gazetarët

Qendra Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias (ECPMF) i ka bërë thirrje kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti që të vendosë masa sigurie për gazetarët.

Ky reagim ka ardhur pas sulmit ndaj gazetarëve në Leposaviq, sot pasdite.

Radiotelevizioni i Kosovës (RTK) sot publikoi pamjet teksa sulmohet ekipi i tyre, kameramani goditet nga një person dhe më pas rrëzohet në tokë.

16:21 – Konjufca pas sulmit ndaj gazetarëve: Nëse BE e toleron këtë agresion të Serbisë, dialogut po i humbet kuptimi

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka reaguar pas sulmit të gazetarëve në Leposaviq.

Përmes një postimi në Facebook, kryekuvendari ka dënuar sulmin ndërsa tha se Bashkimi Evropian nuk duhet të tolerojë sjelljen e shtetit serb.

“Edhe sulmi i sotëm i grupeve të maskuara kriminale ndaj gazatarëve të medieve kosovare, tregon se Beogradi nuk ka dhënë asnjë urdhër dhe shenjë ndaj këtyre grupeve që i menaxhon për ta qetësuar situatën në veri të Kosovës” – tha Konjufca.

Tutje, ai tha se Kosova nuk do të tolerojë verime të tilla.

“Çfarë fqinjësie të mirë dhe normalizimi raportesh mes dy vendeve mund të pretendohet nëse Bashkimi Europian e toleron një sjelle të tillë armiqësore të Serbisë ndaj Kosovës. Nëse BE e toleron këtë agresion të vazhdueshëm të Serbisë, atëherë përfundimisht dialogut po i humbet kuptimi” – tha kryeparlamentari Konjufca.

“I bëjmë thirrje edhe një herë faktorit ndërkombëtar që ta shtojë presionin mbi Serbinë, si shkaktare të këtyre tensioneve, sepse s’mund të ketë qetësi dhe stabilitet nëse bandat vazhdojnë të ushtrojnë dhunë dhe terror mbi popullsinë e këtyre komunave, gazetarët dhe forcat e rendit” – tha ai.

15:46 – Sulmi ndaj gazetarëve në Leposaviq, jep detaje drejtori i Tëvë 1

Drejtori i televizionit “ Tëvë1”, Dukagjin Maliqi ka thënë se gjatë raportimit të sotëm në Leposaviq, në mesin e gazetarëve të lënduar është edhe kameramani i këtij telelvizioni, Albin Rrahmani.

Sipas tij, pjesa tjetër, gazetari Arton Rama dhe shoferi Skender Sllamniku pos traumave nuk kanë pësuar lëndime trupore.

“I bëjë thirrje autoriteteve të sigurisë, vendore e ndërkombëtare, që të ofrojnë siguri për gazetarët”- ka shkruar Maliqi në Facebook.

15:08 – AGK: Kameramani i RTK-së pësoi lëndime të rënda nga sulmi në Leposaviq

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), ka reaguar pas sulmit fizik që ka pësuar kameramani i RTK-së gjatë punës në Leposaviq, për të cilin thonë se ka pësuar lëndime të rënda në kokë dhe trup.

AGK i bënë thirrje urgjente Policisë së Kosovës, dhe prezencës ndërkombëtare në këtë komunë, që t’u ofrojnë siguri gazetarëve dhe kameramanëve të cilët janë duke qëndruar në atë komunë.

Gjithashtu AGK-ja, dënon ashpër këtë sulm, duke shtuar se të gjitha këto sulme që kanë ndodhur në veri të vendit, do të informohen organizatat ndërkombëtare që merren me sigurinë e gazetarëve dhe lirinë e medias.

Po ashtu shtonjnë se në një deklaratë për AGK-në, gazetarja Venera Xhoxhaj, ka treguar se protestuesit i kanë gjuajtur me gurë ekipet e medieve, Tëvë1, RTV Dukagjini, RTK, Klan Kosova dhe KTV.

“Na kanë gjuajtur me gurë, disa kolegë derisa kanë qenë duke u larguar, janë rrëzuar, dhe kameramanit tonë, Bardh Bekteshi, e kanë shtyrë duke e rrëzuar pastaj edhe sulmuar fizikisht duke i shkaktuar lëndime në kokë dhe trup” – ka cituar AGK.

14:54 – Sulmohen gazetarët në Leposaviq

Ekipet e mediave janë sulmuar rëndë në Leposaviq.

Në drejtim të gazetarëve është gjujatur me gurë nga ana e protestuesve.

Radiotelevizioni i Kosovës (RTK) publikoi pamjet teksa sulmohet ekipi i tyre, kameramani goditet nga një person dhe më pas rrëzohet në tokë.

Gjatë ditës në Komunën e Leposaviqit ka qëndruar ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), Elbert Krasniqi.

Ai e ka vizituar kryetarin e komunës, Lulzim Hetemi, i cili që nga 29 maji gjendet brenda komunës.

RTK raportoi se vetura e ministrit Elbert Krasniqit është gjuajtur me ngjyrë nga protestuesit në Leposaviq.

Foto: RTK

14:40 – Paraburgim për tre policët; Serbia dyshon në “posedim të paligjshëm armësh”

Prokuroria e Lartë Publike në Kralevë – qytet në jug të Serbisë – dha urdhër për kryerjen e hetimeve ndaj tre policëve të Kosovës, të arrestuar nga forcat serbe, më 14 qershor, raportoi REL. 

Sipas autoriteteve serbe, ata dyshohet se kanë kryer veprën penale: prodhim, posedim, mbajtje dhe trafikim i paligjshëm i armëve dhe lëndëve plasëse, e cila bart dënimin deri në 12 vjet burg.

Tre policëve, B.S. R.Z. dhe M.SH., iu shqiptua të premten masa e paraburgimit nga gjyqtari i procedurës paraprake në Gjykatën e Lartë në Kralevë, por tash për tash nuk është e qartë kohëzgjatja e saj.

Qeveria e Kosovës pretendon se policët janë “rrëmbyer”, pasi, sipas saj, ata janë arrestuar në territorin e Kosovës.

Serbia e mohon këtë, duke thënë se ata janë arrestuar në territorin e saj.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se më herët se, mesa duket, prokurori në Serbi i ka hedhur poshtë akuzat për terrorizëm kundër tre policëve të arrestuar, ndërsa i ka mbajtur në fuqi vetëm akuzat për posedim të paligjshëm të armëve.

Kurti i bëri komentet gjatë një adresimi në Forumin e Prespës në Strugë.

“Dua ta falënderoj Departamentin amerikan të Shtetit që kërkoi lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të tre policëve të Kosovës. Kjo është rruga përpara”, tha ai.

“Së pari, këta policë duhet të kthehen, por, në të njëjtën kohë, bashkësia ndërkombëtare duhet ta dënojë me vendosmëri dhe qartë agresionin e Serbisë në Kosovë”, shtoi Kurti.

Ai, po ashtu, tha se NATO-ja duhet ta dënojë shkeljen që, sipas tij, i bëri Serbia Marrëveshjes së Kumanovës, e cila i dha fund luftës në Kosovë më 1999.