Vetura e Policisë që ishte bllokuar nga protestuesit në Zveçan | Foto: KALLXO.com, 5 qershor 2023

Sulmohet me gurë vetura e Policisë së Kosovës në Zveçan (FOTO)

Një veturë e Policisë së Kosovës është sulmuar me gurë sot nga protestuesit në Zveçan.

Sipas Policisë, vetura ka qenë me detyrë zyrtare duke patrulluar në drejtim të Komunës së Zveçanit, kur është penguar dhe sulmuar me mjete te forta nga protestuesit.

Si pasojë e sulmit me gurë, veturës i është thyer xhami.

Policia ka njoftuar se kjo veturë më pas është larguar nga ai lokacion.

“Nuk raportohet për të lënduar, përderisa rasti është duke u hetuar” – ka thënë për KALLXO.com zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani.

Ekipi i KALLXO.com që po qëndron sot në Zveçan më herët kanë raportuar se një veturë e Policisë së Kosovës është bllokuar nga protestuesit në Zveçan. Të njëjtit kanë vendosur stole para veturës dhe janë ulur në to.

Që nga 26 maji 2023, serbët në Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq po vazhdojnë protestën e tyre për të kundërshtuar vendosjen e kryetarëve të zgjedhur në objektet komunale.

Zhvillimet në veri – Kurti takohet me ambasadorin e Francës dhe zv.ambasadorin e Gjermanisë