Zhvillimet në veri - Kurti takohet me ambasadorin e Francës dhe zv.ambasadorin e Gjermanisë

14: 38 – Sulmohet me gurë vetura e Policisë së Kosovës në Zveçan

Policia e Kosovës ka konfirmuar se një veturë që ka qenë duke patrulluar në drejtim të komunës së Zveçanit, është penguar dhe sulmuar me mjete te forta nga protestuesit.

Si pasojë e sulmit me gurë, veturës i është thyer xhami.

Policia ka njoftuar se kjo veturë më pas është larguar nga ai lokacion.

“Nuk raportohet për të lënduar, përderisa rasti është duke u hetuar” – ka thënë për KALLXO.com zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani.

Ekipi i KALLXO.com që po qëndron sot në Zveçan më herët ka raportuar se një veturë e Policisë së Kosovës është bllokuar nga protestuesit në Zveçan. Të njëjtit kanë vendosur stole para veturës dhe janë ulur në to.

 

Vetura e Policisë që ishte bllokuar nga protestuesit në Zveçan | Foto: KALLXO.com, 5 qershor 2023

13:25 – Një veturë e Policisë së Kosovës bllokohet mes KFOR-it dhe protestueve në Zveçan

Një veturë e Policisë së Kosovës është bllokuar nga protestuesit në Zveçan. Të njëjtit kanë vendosur stole para veturës së Policisë dhe janë ulur në to.

Vetura e Policisë filliisht ka mbetur në mes pengesave të vendosura nga KFOR dhe protestuesve.

Më pas, pjesëtarë të KFOR-it i kanë hapur pengesat e vendosura dhe vetura e Policisë ka hyrë brenda persimetrit të KFOR-it.

Foto: KALLXO.com

Më poshtë gjeni raportimin nga Zveçani të gazetares së KALLXO.com, Shkodrane Dakaj, për momentin e bllokimit të veturës së Policisë së Kosovës mes protesuesve dhe KFOR-it.

13:10 – KFOR largon disa tela me gjemba në Zveçan

Pjesëtarë të KFOR i kanë larguar një pjesë të telave me gjemba që i ka vendosur ditë më parë në Zveçan.

Disa tela me gjemba shtesë janë parë një ditë pas përleshjes mes protestuesve dhe pjesëtarëve të KFOR-it, ku mbetën të lënduar dhe plagosur 30 pjesëtarë të saj. Tre prej tyre është konfirmuar se janë plagosur me armë zjarri.

Largimi i një pjese të telave me gjemba, Foto: KALLXO.com

12:55 – Zhvillimet në veri, Kurti takohet me ambasadorin e Francës dhe zv.ambasadorin e Gjermanisë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti në takim sot ambasadorin e Francës në Kosovë, Olivier Guerot dhe zëvendësambasadorin gjerman në Kosovë, Matthias Conrad.

Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, në këtë takim u diskutua për zhvillimet e fundit në tre komunat në veri të vendit pas ditës së parë të punës së kryetarëve të rinj dhe dhuna e shkaktuar ndaj ushtarëve të KFOR-it, policëve të Kosovës dhe gazetarëve nga grupe ekstremiste serbe.

Në njoftim thuhet se u pajtuan për rëndësinë jetike të shtensionimit të situatës.

“Kryeministri i njoftoi për profesionalizmin e lartë dhe integritetin e padiskutueshëm të Policisë së Kosovës në menaxhimin e situatës pa asnjë gabim apo defekt. Vendosja e plotë e sundimit të ligjit në katër komunat në veri të Kosovës është e domosdoshme si për largimin e elementeve kriminale ashtu edhe për një fushatë të hapur dhe fer para zgjedhjeve të lira e demokratike në të ardhmen. U theksua gjithashtu nevoja për zbatimin e plotë, të shpejtë dhe pa kushte të Marrëveshjes Bazike të 27 shkurtit dhe Aneksit të saj” – thuhet në njoftim.

Foto: ZKM

11:13 – Leposaviqi me tavolinë nënshkrimi për protestuesit

Edhe në Leposaviq, sikurse në Zveçan dhe Zubin Potok, janë mbledhur disa protestues para ndërtesës komunale.

Ekipi i Radios Evropa e Lirë raporton se në krye të protestës gjendet një tavolinë me listën e nënshkrimeve.

Protestuesit duhet ta firmosin dokumentin, për ta konfirmuar pjesëmarrjen në protestë.

Tavolina e vendosur në Zveçan, Foto: REL/RFE

10:30 – Edhe nxënësit e shkollave fillore shihen në protestat në Zveçan

Nxënës të shkollave fillore në Zveçan janë mbledhur të hënën para ndërtesës komunale.

Ata me flamuj në duar e të vendosur mbi supet e tyre janë parë mëngjesin e sotëm pranë kordonit dhe pengesave të KFOR-it që janë vendosur tash e disa ditë e që janë duke e siguruar objektin komunal të Zveçanit.

Foto: KALLXO.com

09:30 – Lista Serbe i ka dy kushte për pjesëmarrje në zgjedhjet e ardhshme eventuale

Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, ka thënë të hënën se do të marrë pjesë në zgjedhje, që eventualisht do të mund të mbahen për komunat në veri, kur t’i plotësohen dy kushte.

Ajo ka thënë se forcat speciale të Policisë së Kosovës duhet të tërhiqen nga veriu i Kosovës, dhe që të formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe.

*Lista Serbe ka kërkuar ndërhyrjen editoriale në këtë lajm, për çka REL-i nuk është pajtuar.

Lista Serbe i ka bojkotuar zgjedhjet e mbajtura për kryetarë të komunave në veri – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq – dhe as nuk i njeh kryetarët e rinj shqiptarë.

Duke folur për tensionet në veri, Lista Serbe ka thënë se çelësi për ulje të tensioneve është që të mos ketë forca speciale të Policisë së Kosovës në veri dhe që kryetarët, që ajo i konsideron “të paligjshëm”, të mos shkojnë në ndërtesat komunale.

Ajo e ka përmendur edhe nevojën për lirimin e dy serbëve të paraburgosur nga autoritetet e Kosovës, ditë më parë, gjatë përleshjeve në Zveçan.

Ata dyshohen për “veprimtari kundërkushtetuese me qëllim të sulmit kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”, “rrezikim të personave në mbrojtje ndërkombëtare” dhe “sulm ndaj personit zyrtar”.