Stoltenberg: Nuk ka prova të sulmit të qëllimshëm rus ndaj Rumanisë  

Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha të enjten se nuk kishte asnjë shenjë se Rusia kishte nisur një sulm të qëllimshëm ndaj anëtarit të aleancës, Rumanisë, pasi mbetjet e mundshme të dronit u gjetën pranë kufirit të saj me Ukrainën. Stoltenberg tha se Rumania të mërkurën i informoi aleatët e saj të NATO-s për zbulimin dhe se ai “demonstron rrezikun e incidenteve dhe aksidenteve”.

Ndërkohë, zhvillimet tjera në dhe rreth luftës në Ukrainë, janë si në vijim: 

Gjatë video-fjalimit të tij të natës, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, veçoi për lëvdata të enjten tri njësi ushtarake për veprimin “shumë, shumë efektiv” kundër trupave ruse në frontin në Ukrainën lindore dhe jugore.  

“Rezultatet janë pikërisht ajo që Ukraina ka nevojë tani nga të gjithë” — ka thënë Zelenskiy.

Sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken, e ka vlerësuar forcën e Ukrainës përballë pushtimit rus gjatë një vizite në rajonin e Chernihiv, i cili u pushtua nga Moska në fillim të luftës.

Blinken dhe ministrja e jashtme rumune Luminita Odobescu mbajtën gjithashtu një telefonatë për ta diskutuar hetimin e Rumanisë mbi mbeturinat e dronëve të gjetura në Rumani afër kufirit të saj me Ukrainën, tha Departamenti i Shtetit i SHBA. Ministria e mbrojtjes e Rumanisë tha të enjten se vendi nuk u përball me ndonjë kërcënim të drejtpërdrejtë për territorin ose ujërat e tij territoriale nga sulmet ruse në Ukrainë të mërkurën mbrëma.

Disa nga viktimat e një sulmi vdekjeprurës me raketa ruse në një treg të frekuentuar në Ukrainën lindore u varrosën dje. Të paktën 17 persona u vranë dhe 32 u plagosën në sulmin në Kostiantynivka, në rajonin Donetsk të Ukrainës.

Rusia e ka vazhduar fushatën e saj të bombardimeve kundër eksporteve të ushqimit ukrainas me sulmin e katërt me dronë në pesë ditë në kapanonet e grurit dhe infrastrukturës tjetër rreth portit të Izmail përgjatë lumit Danub. Guvernatori i rajonit Odesa, Oleh Kiper, tha se sulmi i së enjtes zgjati tri orë.

Kreu i Komitetit të Marrëdhënieve me Jashtë të Senatit të SHBA-së ka kërkuar që tri kompanitë kryesore të shërbimeve të fushës së naftës të SHBA-së “t’i ndërpresin të gjitha investimet” në infrastrukturën e karburanteve fosile të Rusisë.

Për herë të parë në gati katër vjet, staf i ri është lejuar në ambasadën ruse në kryeqytetin e Koresë së Veriut, Phenian, tha delegacioni, pasi masat anti-pandemike bllokuan shumicën e udhëtimeve dhe çuan shumë ambasada të mbylleshin./The Guardian