Ilustrim

Statistikat: Punëtorët e bizneseve private që po padisin, po kthehen në punë

Largimi nga puna pa asnjë procedurë disiplinore është në kundërshtim me Ligjin e Punës.

Qindra punëtorë në mbarë vendin largohen nga puna me vendime gojore të pronarëve të kompanive, pa asnjë bazë dhe procedurë.

Sipas ligjit, largimi nga puna duhet të kryhet në një procedurë disiplinore pranë një komisioni të kompanisë i cili për të gjithë procedurën duhet të mbajë shënime dhe prodhojë vendime. Të dhënat tregojnë që punëtorët e larguar nga puna pa u ndjekur këto procedura janë duke u kthyer masivisht në punë nga gjykatat. 

Një vendim për ndërprerje të kontratës së punës duhet të jetë i arsyetuar, në të kundërt punëdhënësi i cili shkëputë kontratën në mënyrë të pa arsyeshme mund të paditet.

Kontestet e kësaj natyre sipas ligjit zhvillohen në gjykatat e Kosovës, e të dhënat tregojnë që numri i vendimeve për kthim në punë është shumë herë më i lartë se sa vendimi për pushim nga puna.

Gjatë periudhës kohore 2016-2018, gjykatat në Kosovë zgjidhën mbi 1 mijë lëndë të kthimit në punë ose të pushimit nga puna.

Të dhënat statistikore të publikuara në këtë analizë kanë për bazë të dhënat e hapura nga data baza e të dhënave e krijuar nga BIRN, që ka për  burim të dhënat e hapura të ofruara nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Këshilli Prokurorial i Kosovës si dhe Agjencia për Ndihmë Juridike Falas.

Data baza e të dhënave të hapura, tregon se numri i rasteve për kthim në punë ka shkuar duke u zvogëluar nga viti në vit.

Sipas databazës, në vitin 2016 gjykatat tona e filluan 732 lëndë të kthimit në punë, nga të cilat arritën të zgjidhin 410 raste. Prej këtyre lëndëve,  me aprovim të kërkesë padisë janë 230 vendime. Me tërheqjen e padisë 81 raste ndërkaq, me hudhje poshtë të padisë 43 lëndë.

Statistikat: Punëtorët e bizneseve private që po padisin, po kthehen në punë

Të dhënat më tej sqarojnë se situata  ka qenë tërësisht ndryshe sa i përket lëndëve të ndërprerjes së mardhënies nga puna. 

Përveç numrit të vogël të rasteve, vetëm 106, në vitin 2016, gjykatat arritën të zgjidhin afer gjysmën e tyre.  Kështu, nga 32 lëndë të zgjidhura, me aprovim të kërkesë padisë janë 14 vendime, 4 me hudhje poshtë të padisë, 7 me tërheqjen e padisë, ndërkaq për 2 është ndërprerë procedura.   

Ndërsa në vitin pasues, nga 711 raste në total të kthimit në punë, gjykatat zgjidhën 70% të tyre. Në anën tjetër, në kontestet e pushimit nga puna, numri i lëndëve të zgjidhura vazhdoi të mbetet i vogël, duke përmbyllur vitin me 21 lëndë të zgjidhura. 

Të dhënat tregojnë po ashtu se në vitin 2018 kishte rënie të rasteve të paraqitura në gjykatë për kthim nga puna, mirëpo trendi i zgjidhjes vazhdoi të mbetet i njëjtë.  Fillimviti 2018 nisi me 197 lëndë të trashëguara nga viti paraprak dhe 353 lëndë të reja, nga të cilat u zgjidhën 347. 

Viti 2018 u përmbyll me 79 lëndë të pazgjidhura të pushimit nga puna e vetëm 30 lëndë të zgjidhura. 

Nëse e krahasojmë numrin e lëndëve të zgjidhura në të dy kontestet e punës për tri vite, kuptojmë që gjykatat vit pas viti shënonin ngritje të zgjidhjes së rasteve të kthimit në punë.  

Ndërprerja e marrëdhënies së punës 

Kontrata e Punës sipas fuqisë ligjore, ndërpritet me vdekjen e të punësuarit, me vdekjen e punëdhënësit, me skadimin kontratës, kur i punësuari e mbush moshën e pensionimit 65 vjeç, me humbjen e aftësisë për punë, nëse i punësuari shkon në vuajtje të dënimit i cili do të zgjasë më tepër se 6 muaj, me vendimin e gjykatës kompetente për ndërprerjen e marrëdhënies së punës,  me falimentimin dhe likuidimin e ndërmarrjes.

Përpos këtyre formave, ligji ka paraparë dhe mundësi të tjera të shkëputjes së kontratës

Kontrata e Punës mund të ndërpritet me marrëveshje ndërmjet punëdhënësit dhe të punësuarit ku punëdhënësi është i obliguar t’i paguajë të punësuarit pagën, për ditët e punës deri në ndërprerje.

I punësuari ka të drejtën e ndërprerjes së Kontratës së Punës në mënyrë të njëanshme i cili është i obliguar që ta informojë punëdhënësin paraprakisht.

Ndërprerja e Kontratës së Punës nga ana e punëdhënësit

Në rastet kur punëdhënësi merr vendim për të ndërprerë kontratën e punës duhet të bëhet me shkrim dhe të përfshijë arsyetim.

Shkaqet për shkëputje e kontratës mund të jenë ekonomike, teknike ose organizative. Apo kur i punësuari nuk është më i aftë t’i kryejë detyrat e punës, rastet e rënda të sjelljes së keqe të punonjësit si dhe për shkak të përmbushjes së pakënaqshme të detyrave të punës.

Koha e njoftimit për ndërprerjen e kontratës së punës

Punëdhënësi mund të ndërpresë kontratën e punës në kohë të pacaktuar në këto intervale kohore të njoftimit: prej 6 muaj deri në 2 vite punësim – 30 ditë kalendarike, prej 2 deri në 10 vite punësimi – 45 ditë kalendarike,  mbi 10 vite punësim – 60 ditë kalendarike.

Punëdhënësi mund të ndërpresë kontratën e punës për kohë të caktuar me njoftim prej 30 ditësh kalendarike.

Dështimi për t’u njoftuar nga punëdhënësi, do t’i japë të drejtën të punësuarit për zgjatjen e 30 ditëve kalendarike shtesë me pagë të plotë.

Mbrojtja e të punësuarit në gjykatë

Çdo i punësuar i cili nuk është i kënaqur me vendimin me të cilin mendon se i janë shkelur të drejtat e tij mund të iniciojë kontest pune në gjykatën kompetente.

Procedura fillohet me paraqitjen e padisë me shkrim nga paditësi, kundër të paditurit.

Nëse gjykata konstaton se ndërprerja e kontratës së punës nga ana e punëdhënësit është joligjore atëherë gjykata e urdhëron punëdhënësin që t’i paguajë të punësuarve kompensimin dhe gjykata mund ta rikthejë të punësuarin në vendin e tij të punës dhe urdhëron kompensimin e të gjitha pagave.

Mbrojtja e të punësuarit nga Inspektorati i Punës

I punësuari në çdo kohë gëzon mbrojtje edhe nga Inspektorati i Punës.

I punësuari në çdo kohë mund t’ia dorëzojë ankesën Inspektoratit të Punës për çështje të cilat bien nën kompetencat e këtij organi, lidhur me çështjet që kanë të bëjnë me shkeljen e të drejtave të punëtorit në punë. 

Për shkeljen e të drejtave të punëtorëve, Inspektorati i Punës mund të shqiptojë masa ndëshkuese bazuar në Ligjin për Inspektoratin e Punës.

Ky raport është mbështetur në të dhënat e grumbulluara nga projekti ‘Databaza për luftimin e narrativeve të dëmshme mbi gjyqësorin”.

Programi është përkrahur nga Fondacioni i Mijëvjeçarit në Kosovë (MFK) dhe Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC).

Të dhënat në raport nuk paraqesin qëndrimet e MFK dhe MCC por janë qëndrime të Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese.