Stano: Asociacioni të fillojë pa vonesa
Zëdhënësi i Bashkimit Europian , Peter Stano theksoi edhe njëherë se puna për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe duhet të fillojë sa më shpejt dhe pa kushte.
Përmes një konference për media, Stano ka theksuar se mënyra e formimit të asociacionit duhet të diskutohet në tavolinën e bisedimeve në kuadër të procesit të dialogut Kosovë-Serbi.
“Mendimi i vendeve anëtare, rekomandimet, pikëpamjet, pritjet e vendeve anëtare ishte që puna për formimin e Asociacionit duhet të fillojë pa ndonjë vonesë të mëtutjeshme, dhe pa ndonjë parakusht. Dhe palët e përfshira e dinë shumë mirë se çfarë duhet të bëjnë, si duhet ta bëjnë, dhe cili është pozicioni i BE-së sepse kjo nuk është hera e parë që një çështje e tillë është në tavolinë’- tha ai.
Sipas zëdhënësit të BE-së, Kosova dhe Serbia e dinë qëndrimin e ndërmjetësuesit për çështjen e Asociacionit.
“Çështja se si duhet bërë (Asociacioni), në çfarë mënyre, në çfarë forme duhet të diskutohet në dialog. Dialogu është platforma për t’i zgjidhur çështjet dhe procesi duhet të zhvillohet brenda dialogut, dhe jo jashtë në publik, dhe jo në media. Secila palë e përfshirë e dinë se cili është pozicioni i BE-së”- tha ai.
Më 14 shtator në Bruksel u takuan kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, i ndërmjetësuar nga shefi i diplomacisë evropiane Josep Borrell dhe emisari Mirosllav Lajçak.
Takimi u përmbyll pa progres.
Nga BE thanë se progres nuk pati për shkak të qëndrimeve të Kurtit.
Ndërsa Kurti dhe Vuçiq, në konferenca të ndara për media, akuzuan njëri-tjetrin për mungesën e rezultateve në takim.
Kurti tha se “kushtëzimi i Serbisë” për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe “është shndërruar në qëndrim të emisarëve të BE-së”. Sipas Vuçiqit, Kurti, thjesht, “i shmanget formimit të Asociacionit…”.
Kryeministri Kurti gjithashtu ka akuzuar Lajçakun, për njëanshmëri në dialog, në favor të palës serbe. Këto deklarata, BE i ka quajtur “akuza të pabaza”.
Zëdhënësi i BE-së i quan ‘të pabaza’ akuzat e Kurtit për Lajçakun