Një mjek - Foto: REL/Shutterstock

Spitali i Ferizajt në krizë nga mungesa e mjekëve

Spitali i Përgjithshëm në Ferizaj po përballet me mungesë të madhe të mjekëve të profileve të ndryshme.

Përveç mungesës evidente të mjekëve të emergjencës në këtë spital ka mungesë edhe anesteziologëve, kirurgëve e urologëve.

Drejtori i këtij spitali, Jeton Zeqiri, thotë se për trajtimin e shumë rasteve i duhet ndihma e bashkëpunëtorëve nga Prishtina.

“Rastet emergjente i trajtojmë këtu, por çdo herë duhet të mbulohemi nga jashtë, bashkëpunëtorë nga Prishtina. Nuk janë çdo herë të sigurt, sepse nuk janë të obliguar të vijnë e të punojnë këtu”, tha ai për KALLXO.com

Zeqiri ka shpjeguar arsyet që sipas tij çojnë në mungesë të mjekëve emergjentë.

“Nuk ka kuadër për mjek emergjent, nuk ka asnjë mjekë emergjent, sepse asnjë nga ta nuk është i papunë. Duhet të fillohet ndonjë stimulim në nivel të politikës të Ministrisë së Shëndetësisë, ndonjë stimulim i veçantë që të marrin specializimin si mjek emergjent. Arsyeja që nuk e marrin është se mjeku emergjent nuk ka të drejtë të hapë ordinancë private, për këtë arsye të gjithë i ikin”, ka thënë Zeqiraj.

Ndërsa për mungesë të anesteziologëve Zeqiri tha se ndonjëherë detyrohet të kujdestarojë edhe ai.

“Anestezionin nuk e marrin se është profesion i rëndë, po i parapëlqejnë këto pak më të lehtat që janë, ndonjëherë detyrohem edhe vetë të kujdestaroj ngase edhe vetë jam anesteziolog me profesion”, tha ai.

Sipas drejtorit edhe kirurgët kanë filluar të ndjejnë lodhjen për shkak të ngarkesës.

“Kirurgë kemi pesë, mirëpo kirurgët kanë filluar të lodhen, sepse në sallë të operimit na duhen dy kirurgë të pranishëm dhe është e pamundur të shkojmë edhe një kohë të gjatë me këtë numër të vogël të kirurgëve”, tha Zeqiri.

Sipas tij është sfidë me kirurgët për fëmijë ku ai thotë se për shkak të specifikave që ka kirurgjia e fëmijëve janë detyruar që pacientët t’i dërgojnë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Drejtori tregoi se tani do të hapin një konkurs për dy urologë.

Zeqiraj u shpreh se në konkursin e fundit janë pranuar 21 mjekë specialistë nga 34 që kanë aplikuar.

Ndërsa të sistemuar ai tha se janë varësisht nga profili i tyre, si në; interno, pediatri, gjinekologji, dermatologji, kardiologji, reumatologji, otorinolaringologji.

Sipas tij për infermieri kanë aplikuar 449 dhe janë pranuar vetëm 35, ndërsa nga konkursi për shërbime teknike nga 64 janë pranuar  5.