Sot takohen Kurti dhe Abdixhiku

Kryeministri Albin Kurti, pritet që sot të takohet me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku. Takimi Kurti-Abdixhiku pritet të mbahet në ora 11:00 në objektin e Qeverisë së Kosovës.

Takimit me Abdixhikun i paraprinë ftesa që kryeministri Kurti ua ka dërguar tre liderëve të partive opozitare, me qëllim të informimit dhe bashkërendimit të spektrit politik për çështje me interes të Republikës së Kosovës. Kreu i Qeverisë fillimisht ka takuar liderin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, takim ky që u mbajt të hënën.

Kryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj më 21 maj, përmes një letre i është përgjigjur kryeministrit Albin Kurti, duke e njoftuar se nuk do të shkojë në takimin me partitë opozitare, të thirrur nga Kurti.

Hoxhaj përmes kësaj letre është shprehur se çështjet e propozuara për diskutim nga Kurti pas vizitës së tij në Bruksel, siç janë marrëdhëniet me Belgjikën, me institucionet e BE-së dhe me vendet e rajonit, duhet të trajtohen nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës. RTV21