Shtyhet edicioni i 9-të i Festivalit "FemArt"

Situata e përkeqësuar me COVID-19 dhe masat e Qeverisë së Kosovës për parandalimin e sëmundjes, kanë bërë që “Artpolis” të marrë vendim për shtyrje të Festivalit Ndërkombëtar për Artiste dhe Aktiviste,  “FemArt”, për javën e parë të tetorit.

Përmes një njoftimi “Artpolis” ka njoftuar se ky edicion i “FemArt” do të mbahet nga 1 deri më 6 tetor 2021.

“Më 1-6 tetor 2021 FemArt do të jetë sërish afër publikut me shfaqje, performanca, muzikë, poezi, ekspozita, punëtori, raporte e konferenca përmes edicionit të 9-të, që vjen me moton “F… Seksizmit”. Festivali “FemArt” do të mbahet me respektim të plotë të masave kundër COVID-19 dhe versioni Delta, e vetëm personat e vaksinuar do të mund të jenë prezent në këto aktivitete artistike. Me ART kundër seksizmit, të VAKSINUAR kundër pandemisë! ”, thuhet në njoftim.

Edicioni i nëntë i këtij festivali ishte paraparë të mbahet nga 20 deri më 25 shtator 2021 në Prishtinë.