Prishtina 2023

Prishtina 2023 - Foto: Denis Sllovinja

Sot në Prishtinë marshohet në solidaritet me popullin palestinez

Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist do të organizoj sot marsh në solidaritet me popullin palestinez duke filluar nga ora 12:00 në sheshin Zahir Pajaziti.

“Këtë të shtunë ne iu thërrasim në marsh në solidaritet me popullin palestinez dhe kundër luftës gjenocidale që po e kryen shteti i Izraelit” – thuhet mes tjerash në njoftim për media.

Marshi nisë në sheshin “Zahir Pajaziti” në orën 12:00 dhe vazhdon drejt sheshit “Skënderbeu.

Ky është njoftimi i plotë i Kolektivit për Mendim dhe Veprim Feminist:

Për gati një muaj Izraeli është duke e mbajtur nën terror popullin palestinez. Vetëm brenda kësaj periudhe shteti izreaelit ka vrarë mbi 5 mijë palestinezë, ka bombarduar spitale, ka dëbuar, burgosur e lënë pa ushqim, rrymë e shërbime tjera elementare, duke ua bërë jetën të papërballueshme shumicës tjetër që vazhdojnë të jenë gjallë në Gaza dhe Bregun Perëndimor.

Dhuna sistematike dhe masakrimi i popullit palestinez është episodi më tragjik i njerëzimit në këtë shekull, dëshmitare/ë të se cilës jemi të gjitha/ë. Një popull i tërë, toka e të cilëve është kolonizuar, është duke u mbajtur nën terror. E përderisa ky popull, gjysma e të cilit në Gaza janë fëmijë, po gjëmon nga vuajtjet, ne nuk mund të qëndrojmë të heshtur a të paanshëm. Ne nuk mund t’i mbyllim sytë karshit vrasjes e torturimit të tyre. Neve nuk duhet e as nuk mund të na heshtojnë propagandat dhe rreshtimet e institucioneve dhe shteteve evropiane në anën e Izraelit gjenocidal.

Ne qëndrojmë në solidaritet me popullin palestinez dhe çdo civil të pafajshëm izraelit. Megjithatë, ndonëse kundërshtojmë politikat dhe krimet e Hamasit, ne nuk i bashkojmë zërat tanë me ata që në emër të barazimtarive janë duke u shndërruar në financues të gjenocidit ndaj Palestinës.

Të shtunën, ne ngrihemi në këmbë dhe thërrasim në solidaritet dhe mobilizim ndërkombëtar për ta kundërshtuar dhe ndalur luftën ndaj palestinezëve. Njëherit, duke denoncuar qëndrimet zyrtare të shtetit të Kosovës si pozicione pro-gjenocidale, ne kërkojmë përgjegjësi dhe ndryshim të kursit politik shtetëror. Duke e njohur fuqinë transformuese të organizimit, solidaritetit dhe ligjërimit publik, ne thërrasim në mobilizim gjithëpopullor dhe pozicionim të drejtë, të shtunën dhe përherë!

Gjithmonë me popullin palestinez dhe të drejtën e tyre për liri, dekolonizim dhe jetë pa dhunë!