'Peja Jazz'. Foto: Facebook/Peja Jazz

Sot, dita e dytë e Festivalit ‘Peja Jazz’   

I hapur mbrëmë në Kinemanë “Jusuf Gërvalla” në Pejë, Festivali “Peja Jazz” ka hyrë në ditën e dytë të tij.

Sipas programit të Festivalit në ditën e dytë do të performojë dyshja Dukagjin Muhaxheri dhe Visar Kuçi.

Dyshja Muhaxheri – Kuçi është formuar në vitin 2009. Fokusi kryesor i dyshes është interpretimi i veprave nga kompozitorë botëror të muzikës xhaz e sidomos aranzhimi dhe përshtatja në mënyrë shumë origjinale e këtyre veprave për formacionin – alt saksofon dhe kitarë.

Koncerti i sotëm i Muhaxheri – Kuçit  do të mbahet në ora 17:00.

Festivali i xhazit, “Peja Jazz” ka nisur mbrëmë me koncertin e Armend Xhaferi -Trio, ku performuan: Armend Xhaferi, Kiril Tufekcievski dhe Viktor Filipovski.

Edicioni i Parë i Festivalit “Peja Jazz” organizohet nga festivali “Anibar” dhe Kinemaja “Jusuf Gërvalla” në Pejë.

Festivali do të mbahet deri më 10 dhjetor. Festivali po mbahet Në Kinemanë Jusuf Gërvalla” me numër të kufizuar të publikut.

“Peja Jazz” organizohet në kuadër të projektit të “Anibar”; “Komunitet i Fuqizuar përmes Artit dhe Kulturës”, i mbështetur nga Fondi Ndërkombëtar i Ndihmës së Zyrës së Jashtme Federale Gjermane, Goethe-Institut.

‘Peja Jazz’. Foto: Facebook/Peja Jazz