Salla e koncerteve ne Vjenë. Foto: Facebook/Kori ‘Siparantum’.

Kori ‘Siparantun’ pushton skenën në Vjenë: Moment historik për kulturën kosovare

Për tri ditë me radhë, duke filluar nga nata e sotme, Kori “Siparantum” (Siparantum Choir) do të performojë bashkë me Orkestrën Simfonike të Vjenës dhe Korin vjenez “Singakademie” në Vjenë të Austrisë për festën e Vitit të Ri.

Ky formacion koral nga Peja së bashku me orkestrën dhe korin vjenez do të mbajë koncert më 30, 31 dhjetor 2023 dhe 1 janar 2024, në Sallën e Koncerteve në Vjenë (Wiener Konzerthaus) do të interpretojë veprën “Simfonia e 9-të” e kompozitorit gjerman  Ludvig van Beethoven.

Paraprakisht kori pejan ka mbajtur dje (të premtën) një koncertë në Kishën Votive në Vjenë.

Prezantimi i Korit “Siparantum” në koncertin tradicional të “Simfonisë së 9-të” të Beethoven-it, vjen pas suksesit që ky kor arriti në fund të tetorit në garat e koreve evropiane në Suedi ku mori medaljen e arte të këtyre garave.

Prezantimi historik

Prezantimi i koristëve pejan në koncertin festiv të Vitit të Ri në Vjenë po konsiderohet moment historik për kulturën nga Memli Kelmendi, një nga themeluesit dhe dirigjent i Korit “Siparantum”.

Sipas tij, me këtë prezantim një ëndërr po bëhet realitet.

Në një bisedë për KALLXO.com, Kelmendi ka thënë se ftesa për pjesëmarrje në ngjarje kaq të madhe në Vjenë është një moment historik për kulturën tonë.

“Do të jemi pjesë e një ngjarjeje të madhe, e quajtur historike për kulturën tonë. Kështu, mund të themi se po fillojmë një vit të suksesshëm” – ka thënë ai, për KALLXO.com.

Ai ka bërë të ditur se Kori “Siparantum” është ftuar të marrë pjesë në festën e fundvitit me Wiener Singakademie në koncertet e Wiener Konzerthaus, (Salla e koncerteve në Vjenë). Kelmendi ka bërë të ditur se koristët pejan do të ngjiten në skenë së bashku me Orkestren Simfonike të Vienës dhe Korin “Wiener Singakademie”.

“Performanca tradicionale e Simfonisë së 9-të të Beethoven-it (në d-mol, e kompozuar në mes 1822-1824) është pjesë e festave të Vitit të Ri në Wiener Konzerthaus për 26 vjet. Këtë vit, kënaqësia jonë është e dyfishtë, pasi Kori “Siparantum” do të jetë pjesë e këtyre koncerteve. Koncertet do të drejtohen nga Omer Meir Wellber dhe janë planifikuar për datat 30 dhe 31 dhjetor 2023, si dhe 1 janar 2024, në orën 19:00” – ka thënë ai.

Por, sipas tij, performacat tri ditore në Vejnë do të jetë vetëm fillimi i prezantimit ndërkombëtare të Korit “Siparantum” në skenat botërore.

“Gjithashtu, në vitin e ardhshëm planifikojmë të marrim pjesë në dy festivale të mëdha, të cilat i konsiderojmë si prioritet, megjithatë kemi aktivitete të konfirmuara deri në vitin 2026”- tha ai.

Memli Kelmendi gjatë dirigjimit.

Sukseset në 2023

Vitit 2023 ishte i frytshëm për Korin “Siparantum” duke e bërë këtë një nga institucionet me prezantimet më të suksesshme në skenat botërore.

Në fund të tetori që shkoi kori rrëmbeu nga çmimet kryesor në garën evropianeve të koreve, duke u renditur kështu në Top 100 koret më të mira në botë. (World Ranking List).

“Për ne, ky çmim është një vazhdimësi e sukseseve përgjatë gjithë këtyre viteve. Ne kemi garuar në nivelin më të lartë të garimit, në Grand Prix of Nations. Kjo kategori nënkupton që këtu mund të marrin pjesë koritë të cilat janë pjesë e Top 500 koreve më të mira në botë (World Ranking List), apo ato korë të cilat vijnë me kualifikim”- ka thënë ai.

Ai ka thënë se përgjatë këtyre viteve, kori “Siparantum” ka pasur ngritje të vazhdueshme dhe shtimë të pjesëmarrjes në festivale të ndryshme, si:  Berlin Philharmonie, Queen Elisabeth Hall në Antëerp – Belgjikë, Hrvatski Glasbeni Zavod në Kroaci, Gangneung Art Center në Korenë Jugore, etj.

“Deri më tani kemi zhvilluar rreth 145 aktivitete, nga të cilat 68 kanë pasuar karakter ndërkombëtar. Muzika jonë ka arritur në vende si Shqipëria, Belgjika, Franca, Gjermania, Italia, Koreja e Jugut, Kroacia, Maqedonia e Veriut, Portugalia, Sllovenia, Suedia dhe Zvicra”- ka thënë ai.

Kori “Siparantum” është themeluar në vitit 2017 nga një grup vullnetarësh në Pejë. Aktualisht ka 46 anëtarë.

Puna intensive e drejtuar nga anëtarë vullnetarë të frymëzuar dhe entuziastë ka përfaqësuar me sukses kulturën e pasur të Kosovës jashtë kufijve të saj. Kori ka performuar në vende të mëdha si Gjermania, Portugalia, Franca, Zvicra, Italia, Belgjika, Kroacia, Sllovenia, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria.