Skenderaj miraton hartën zonale

Kuvendi Komunal i Skenderajt përmes një seance të jashtëzakonshme ka miratuar hartën zonale 2020-2028.

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari ka deklaruar se i tërë procesi i hartimit të hartës zonale ka qenë transparent dhe i hapur “duke inkuadruar drejtpërdrejt edhe qytetarët dhe grupet e interesit në hartimin e këtij dokumenti”.

“Miratimi i Hartës Zonale, pas një punë dhe angazhimi tre vjeçar të komunës sonë, me përkrahjen e Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit si dhe të UN-HABITAT-it është një arritje e madhe pasi që me këtë po bëhemi komuna e parë në Republikën e Kosovës, që po kompletojmë  legjislacionin në fushën e planifikimit hapësinor, në harmoni me ligjin e ri të planifikimit hapësinor. Me këtë po bëhemi shembull i mirë dhe për komunat tjera, për angazhim të sinqertë dhe synime të qartë për të ardhmen”, tha ai.

Asamblistët e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje gjatë debatit parashtruan pyetje për shkak të “mos qartësimit” nga ana e kompanisë projektuese dhe drejtoreshës së Urbanizimit.

Gjithashtu asamblistët e këtyre dy partive kritikuan se nuk ishin në dijeni për mbajtjen dëgjimeve publike, gjë e cila u kundërshtua nga pozita  “sepse thirrjet ishin publike në rrjete sociale”.

Më 23 vota për, një kundër dhe një abstenim asamblistët e komunës së Skenderajt votuan për hartimin e Hartës Zonale.

Me miratimin e kësaj harte zonale, Komuna e Skenderajt, bëhet komuna e parë në Kosovë, që po kompleton legjislacionin në fushën e planifikimit hapësinor (Hartën Zonale dhe PZHK-në), në harmoni me ligjin e ri të planifikimit hapësinor.