Pallati i Drejtësisë

Skandali në Gjykatën e Prishtinës: Gruaja viktimë e dhunës obligohet të deklarohet për paraburgimin e burrit

Një hulumtim i KALLXo.com ka zbardhur edhe një rast tjetër ku gjykata ka shkelur rregullat në trajtimin e viktimave të dhunës në familje.

Javën që po e lëmë pas gjykatësi Alban Ajvazi, ka mbajtur një seancë ku kishte trajtuar kërkesën e Prokurorisë së Prishtinës për t`i caktuar paraburgimin një burri që dyshohet se kishte ushtruar dhunë mbi gruan e tij.

KALLXO.com ka zbuluar se gjykata e ka ftuar gruan të jetë e pranishme në seancë edhe pse kjo nuk kërkohet me Kodin e Procedurës Penale, madje në seancë viktimës i është kërkuar të deklarohet nëse dëshiron që burri të mbahet në paraburgim.

Rregullat e Kodit të Procedurës Penale saktësojnë se në seanca të paraburgimit mund të deklarohen vetëm avokati, prokurori dhe i pandehuri, por jo edhe viktima.

Viktima e cila ka lajmëruar rastin edhe në KALLXO.com ka rrëfyer se për shkak të dhunës së vazhdueshme dhe kërcënimeve ajo më datë 3 shkurt ka lajmëruar burrin e saj në polici.

I dyshuari është arrestuar dhe është dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa të mërkurën e kësaj jave është mbajtur edhe seanca dëgjimore për caktimin e masës së sigurisë.

Madje viktima e këtij rasti thotë se për seancën është njoftuar vetëm një orë më herët, ndërsa gjatë seancës, gjyqtari i Gjykatës Themelore të Prishtinës, Alban Ajvazi e ka pyetur viktimën nëse dëshiron ta zbus masën e sigurisë.

“Rastin e kam lajmëruar në polici më 3 shkurt për dhunë të vazhdueshme, fizike, psikologjike prej bashkëshortit. Pasi që kam pasur kërcënime dhe dhunë fizike të vazhdueshme i kam lajmëruar në polici. Bashkëshorti është arrestu më 3 shkurt, para dy ditësh. Sot mua gjykata më ka thirrë në orën 10:22, më kanë thënë se jam e obliguar që të shkoj në një seancë e cila fillonte në orën 11:30. Më kanë thanë që jam e obliguar me ligj që të jem prezente. Gjyqtari ka qenë Albin Ajvazi. Së pari nuk e dita as pse po më thirrin, pa ftesë pa kurrgjë, shkova aty. Procedurat shkuan, ashtu bashkëshorti se pranoi që më ka rrahur fizikisht. Më ka thanë gjyqtari, a don me liru, a dëshiron me e mbajtë (në burg) edhe unë i kam thanë se dua ta mbajnë në burg, sepse ndihem e kërcënuar”, thotë viktima e cilin rastin e ka lajmëruar edhe në KALLXO.com.

Vendimi në lidhje me këtë rast sipas viktimës ende nuk i është bërë i ditur

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me vetë gjyqtarin Ajvazi.

“Jam në një seancë tani, çka do që keni mund ta përcillni përmes Zyrës për Informim të Gjykatës”, tha Ajvazi shkurt në telefon.

KALLXO.com ka kërkuar sqarime edhe përmes zyrës për informim të Gjykatës Themelore të Prishtinës.

“Lidhur me kërkesën tuaj ju njoftojmë se nuk kam pranuar përgjigje nga gjyqtari Alban Ajvazi sa i përket kësaj çështje”, thuhet në përgjigjet e zyrës.

KALLXO.com një skandal të njëjtë e kishte raportuar në dhjetor të vitit të kaluar.

Një hulumtim i KALLXO.com kishte zbardhur se gjatë trajtimit të një rasti në familje, Gjykata e Gjilanit – Dega në Viti kishte shkelur rregullat e Kodit të Procedurës Penale duke e përballur një grua me burrin e saj i cili ishte arrestuar për dhunë në familje.

  1. A. (gruaja) kishte marrë lëndime pasi ishte sulmuar nga bashkëshorti i saj, një major në FSK.

KALLXO.com zbuloi se prokuroria kishte kërkuar paraburgimin prej 30 ditësh për të dyshuarin ndërsa për ta zbutur situatën, në gjykatore ishte ftuar viktima e cila në një rast të paprecedent në drejtësi kishte kërkuar që burri i saj të mos burgosej.

Gjyqtari për KALLXO.com kishte thënë se viktimën nuk e kishte thirrur por kishte rastisur në gjykatore dhe më pas kishte kërkuar që të hynte në seancë.

Mirëpo Kodi i Procedurës Penale ka paraparë rregulla strikte ku personat e paautorizuar nuk lejohen të marrin pjesë në seancë të paraburgimit, përfshirë edhe viktimat.

Majori i FSK-së dyshohet se rrahu gruan e fëmijët

Skandal në Gjykatën e Gjilanit: Gruaja viktimë e dhunës në familje ballafaqohet me burrin

Ky botim është prodhuar si pjesë e projektit “Mbështetja e medieve dhe gazetarisë për të drejtat e njeriut në Kosovë”, përkrahur nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe realizuar nga Kosovo 2.0, CEL dhe QKSGJ. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e Internews Kosova dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i BE-së,  K2.0, CEL apo QKSGJ.