Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Sindikata e Policisë reagon pas sulmit me thikë ndaj një polici në Suharekë

Sindikata e Policisë së Kosovës ka kërkuar që organet e drejtësisë të veprojnë ndaj sulmit kundrejt një polici, që ka ndodhur dje në Suharekë.

Përmes një komunikate për media, Sindikata e Policisë ka thënë se sulmet ndaj zyrtarëve policor janë shpeshtuar dhe sipas tyre, kjo duhet të konsiderohet si vepër e rëndë penale.

“Një rast i tillë ndodhi me datë 10.01.2022 në Suharekë, ku nga një i dyshuar për dhunë në familje, recidivist i veprave penale, gjatë intervenimit sulmohen zyrtarët policor të cilët marrin lëndime të rënda  trupore”, thuhet në komunikatë.

Sindikata, ka kërkuar nga organet e drejtësisë që për të gjithë që ‘ngrenë dorën’ kundër Policisë së Kosovës, të veprohet sipas Ligjit.

“Veprimet e organeve të drejtësisë në bazë të ligjit dhe sanksionimit të të gjithë atyre që sulmojnë policin do të ishte preventivë për parandalimin e sulmeve ndaj zyrtarëve policor”.

Dje rreth orës 10:50 në Suharekë është sulmuar një zyrtar policor. Sipas njoftimit të Policisë, gjatë arrestimit të një të dyshuari për dhunë në familje, i njejti ka sulmuar duke goditur me thikë një polic.

 

Suharekë, i dyshuari për dhunë në familje sulmoi policin me thikë